20 vjet burgim ndaj N.N për vrasje të rëndë, të moshuarës 90 vjeçare
12/07/2017
Ferizaj , 12 korrik 2017 - Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, më 12 korrik 2017, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit N.N, e cila në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale Vrasja e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi Gjykues pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, aktakuzës së prokurorisë për veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4  të KPRK-së, të pandehurën N.N e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej njëzet (20) vjet.

E pandehura N.N, akuzohet se në gusht të vitit 2016, në Shtërpcë, me dashje dhe në mënyrë mizore nga motive të ulëta, ka privuar nga jeta të dëmtuarën D.N e moshës 90 vjeçare.

Konform nenit 367 paragrafi 2 të KPPRK-së, të pandehurës i vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin si më lartë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej (pesëmbëdhjetë) 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.