Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit S. D.
21/10/2017
Gjilan, 21 tetor 2017 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji ndaj të pandehurit S. D.

I pandehuri S. D., në pozitën Inspektor i Komunikacionit në Komunën e Kamenicës, gjatë ditës së djeshme ka kërkuar ryshfet nga pronari i një kompanie të biznesit, për të kryer një shërbim.

I dëmtuari menjëherë ka lajmëruar zyrtarët policorë, më pas organet e ndjekjes kanë ndërmarrë të gjitha hapat, duke aplikuar përdorimin e masave të fshehta të simulimit, ku i pandehuri është arrestuar në vendin e punës.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.