Kryetari Shala propozon themelimin e një departamenti special, ekuivalent më Prokurorinë Sepeciale
02/12/2017
Kryetari i Gjykates se Apelit Hasan Shala, ka propozuar themelimin e një departamenti special, ekuivalent me Prokurorinë Speciale. Ai po ashtu ka propozuar edhe themelimin e departamenteve ekonomike dhe administrative në secilen gjykatë themelore. Këto komente i pari i Apelit i bëri ne Konferencen e shtatë vjetore të Gjyqësorit Kosovar, e cila po mbahet në Prishtinë. Lexoni të plotë fjalimin e tij :

Të nderuar pjesëmarrës,
Jam shumë i privilegjuar që mu dha rasti të flas në këtë ngjarje kaq të rëndësishme, e që për mua si kryetar i Gjykatës së Apelit, nuk paraqet thjeshtë një konferencë, por një KONGRES.
E quaj kështu, ngase këtu diskutohet për të arriturat, këtu diskutohet pse jo edhe për sfidat dhe dështimet tona, dhe nga këtu dalin idetë tona për të ardhmen.
Ne sot në këtë sallë, përveç bilanceve flasim edhe për rrugën që duhet të marr gjyqësori kosovar.
Të nderuar kolegë,
Është fakt i pa kontestueshëm, i pamohueshëm dhe i pakapërcyeshëm se gjyqësori kosovar ka shënuar arritje pothuajse në të gjitha sferat. Sikurse u tha edhe nga parafolësit, e do të thuhet edhe nga ta që do të vinë në këtë foltore pas meje, të arriturat tona janë të dukshme dhe te prekshme, për secilin që donë t’i pranoj.
Sot gjyqësor kosovar, pa pik mëdyshje mund të them se është institucioni më transparent në Republikën e Kosovës. Seancat janë publike, vendimet janë publike, raportet janë publike, hapësirat tona janë të qasshme sikur për mediat e po ashtu edhe për publikun, zyrtarët janë kurdoherë në dispozicion të qytetarit. Dhe më sa kam parë, jemi në hap edhe me trendët e reja të komunikimit përmes rrjeteve sociale dhe portaleve online. Qa na mbetet për të bërë në këtë aspekt, është që në të ardhmen , në disa gjykata, të themelohen zyrat për informim, ngase sikur e dini Zyrtari për informim, funksionon në kuadër të Zyrës së kryetarit.
Kur jemi te trendët e reja, më gëzon fakti se është në rrugë të mirë implementimi i programit SMIL, i cili kur do të kompletohet, do të jetë një hap i madh në digjitalizimin e sistemit, që do të ndikoj direkt në rritjen e efikasitetit.
Po punohet në ngritje e përformacës dhe shtimin e kapaciteteve si tek gjyqtarët po ashtu edhe në administratë. Fatkeqësisht numri enorm i lëndëve, imponon që të mos jemi në nivelin që duam, por më rritjene numrit të gjyqtarëve dhe stafit profesional, dalëngadalë do të krijohen kushtet për punë më përmbajtjesore, rrjedhimisht vendime të arsyetuara më mirë. Në të njëjtën kohë duke forcuar mekanizmat e kontrollit brenda gjyqësorit do të rritet edhe llogaridhënia. Prandaj dua të besoj se krejt këto do të ndikojnë që besimi i publikut gradualisht të filloj të rritet dhe perceptimi negativ për sistemin e drejtësisë të bjerë.
Natyrisht që nuk ka vend për tu krenuar, përderisa kemi akoma mijëra lëndë të pa zgjidhura në sirtarët e gjykatave, përderisa pala për një kontest civile pret 4 vjet në shkallë të dytë, dhe kush e di sa në shkallë të parë. Kjo njëherësh paraqet sfidën më të madhe për gjyqësorin kosovar.
Ka vetëm një mënyrë për zvogëlimin e lendeve të trashëguara, e ajo është përmes shtimit të numrit të gjyqtarëve dhe stafit profesional. Sa për ilustrim po ju njoftoj se gjatë viti që po lëmë në Gjykatën e Apelit kemi marr 5 bashkëpunëtorë profesional, një përkthyes, 4 zyrtar ligjor, si dhe kemi fituar një projekt të UNDP-së për angazhimin edhe të 6 zyrtarëve tjerë ligjor. Po ashtu është përmbyllur me sukses procesi i rekrutimit të 4 gjyqtarëve ndërsa aktualisht jemi në fazën e pritjes edhe të 5 tjerëve. Nuk mund të lë pa përmendur edhe kërkesat që ia kam adresuar KGJK-së, për 15 gjyqtar të rinj, 12 bashkëpunëtor profesional dhe 20 zyrtarë ligjor, kërkesa këto që kanë marr dritën e gjelbër.
Me një angazhim dhe punë maksimale te të gjithë punonjësve, në këtë periudhë kemi 881 lëndë të zgjidhura më shumë se në periudhën e njëjtë te vitit të kaluar. Por ndonëse kemi zgjidhur 9 mijë e 611 lëndë pa llogaritur dy muajt e fundit , në sirtarët e gjyqtarëve vazhdojnë të qëndrojnë edhe 12 mijë e 777 raste, ngase vitin 2017 e nisem me 11 266 të tila dhe ndërkohë në Gjykatën e Apelit, kanë ardhur edhe 11 mijë 122.
Besoj që edhe kolegët e mi nga gjykatat themelore, pak a shumë kanë përvoja te njëjta. Prandaj me bindje te plotë mund të them se secila nga ta sot, ka një storje suksesi për të treguar, por edhe halle për të shpalosur.
Të nderuar kolegë, krahas shtimit të kapaciteteve, rritjes se mekanizmave të kontrollit të brendshëm, dhe aplikimit të teknologjisë dhe avancimit të zyrave për informim, e shoh të domosdoshme që të bëhen disa ndryshime në skemën aktuale të organizmit të gjykatave.
Me lejoni t’i parashtroj disa ide për të cilat besoj që do të jeni dakord edhe ju, ngase nuk janë krejt të pa njohura, e të pa diskutuara.
Do t’i përmend vetëm në pika të shkurta në mënyrë që të mos ju marr shumë kohë më shpresë se do kemi raste tjera për të diskutuar më gjerësisht.
E para
Themelimi i një Departamenti të Posaçëm në Gjykatat Themelore që do të ishte ekuivalent me Prokurorinë Speciale
Besoj që aktakuzat e ngritura nga prokuroria special do të ishte e udhës të gjykoheshin nga një departament i specializuar. Ju e dini, aktakuzat ngritën nga prokuroria speciale, pasta gjykimet zhvillohen në Departamente për Krime të Rënda, njësoj sikur edhe për veprat tjera penale, të parapara me ligj. Mendoj që themelimi i një departamenti ekuivalent me Prokurorinë Speciale do të ishte një hap i qëlluar dhe krejt i natyrshëm, e që do të ndikonte në rritjen e perfomances, efikasitetit, dhe do të garantonte gjykime më profesionale. Kjo do bëhej ndryshimet adekuate ligjore, ku krahas çështjeve tjera, do të rregullohej edhe statusi i gjyqtarëve të këtij departamenti, që do të duhej të ishin më të mirët prej nesh, pastaj edhe siguria dhe benifitet e tyre.
E dyta
Të themelohet Departamenteve Administrative në të Gjitha Gjykatat Themelore
Kjo do të realizohej përmes ndryshimit të Ligjit për Gjykatat dhe Ligjit për Konflikt Administrativ. Sikur edhe në fusha tjera, qytetaret këto shërbime do të duhej t’i merrnin në regjionet e tyre, e jo të udhëtojnë me kilometra dhe të krijojnë shpenzime të pa nevojshme në kohë dhe para. Po ashtu Gjykata Themelore në Prishtinë do të shkarkohej nga lëndët e vjetra dhe do të zvogëlohej numri i lëndëve të pa zgjidhura.

E treta
Themelimi i Departamenteve Ekonomike në të gjitha Gjykatat Themelore
Edhe kjo do të lehtësonte punën dhe do të ndikonte në rritjen e efikasitetit. Në radhë të parë do të shkarkohej Gjykata Themelore në Prishtinë. Në radhë të dytë do t’ua lehtësonte qasjen bizneseve dhe do të shkurtoheshin procedurat e vendosjes. Në këtë mënyrë do të rritej siguria juridike e investitorëve dhe besimi në siteimin gjyqësor.
Është më rendësi të thuhet se këto ndryshime nuk kërkojnë ndonjë kosto të madhe. Qe i bije me të njëjtat kapacitete mund të bëjmë punë shumë me efikase, dhe është shumë më e lehtë se sa të krijohen gjykata të reja.
Dhe në fund i inkurajoj gjyqtarët që të jenë profesional, të qëndrojnë stoik ndaj presioneve dhe ndikimeve që mund të vinë nga jashtë, dhe të jenë maksimalisht të vetëdijshëm për rolin që kanë.
Të gjithë duhet ta dinë se ne jemi për ta zbatuar ligjin, drejtësia nuk bëhet as për shifra, as statistika, e as për t’i plotësuar dëshirat ndokujt.
Unë dua të falënderoj edhe partneret ndërkombëtarë të cilët na kanë ndihmuar në vazhdimësi në të gjitha proceset, por ua rikujtoj juve te nderuar kolegë se askujt ma shume se sa neve nuk na takon që t’i kryejmë detyrat dhe përgjegjësitë kemi. Fëmijët tanë dhe brezat qe vinë e meritojnë një shtet të sigurt, ku sundon rendi dhe ligji.