Burg me kusht dhe gjobë për I.V, për veprën penale marrja e ryshfetit
19/12/2017
Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot 19 dhjetor 2017, shpalli aktgjykim ndaj të pandehurit I.V, i cila në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale në vazhdim “marrja e ryshfetit”, nga neni 428 paragrafi 1, dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, aktakuzës së prokurorisë, të pandehurin I.V, e shpalli fajtor dhe për veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1, i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje pre një (1) vjet, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri në kohëzgjatje prej dy (2) vjet nuk kryen vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë në shumë prej tremijë (3.000) euro, ndërsa për veprën penale mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve të pandehurin e gjykoi me dënim me gjobë në shumë prej tetëqind (800) euro.

I pandehuri I.V, akuzohet se në muajin tetor 2014 në Spitalin Rajonal në Ferizaj, si person zyrtar, ka pranuar dhuratë në para, në vlerë prej 200 euro për shkak të operimit të nënës së të dëmtares M.M. me çka nuk ka përmbushur detyrat zyrtare më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vetë. Më 31 tetor 2014 i pandehuri ka pranuar dhuratë në para, nga E.A në vlerë prej 20 euro, për një kontroll të rregullt pas operacionit të kryer në vitin 2007 për të cilin e njëjta kishe paguar shumën në vlerë prej 400 euro. Në të njëjtën ditë i pandehuri ka pranuar dhuratë para, në shumë prej 50 euro nga tani e dëmtuara A.H për shkak të operacionit të djalit të saj. Në muajin nëntor 2014, i njëjti ka pranuar dhuratë para në vlerë prej 100 euro nga e dëmtuara M.B për shkak të operimit të vajzës së saj. Ndërsa në muajin qershor – gusht të vitit 2012.si person zyrtar ka pranuar dhuratë para në vlerë prej 200 euro nga e dëmtuara H.A për shkak të operacionit në veshkë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej (pesëmbëdhjetë) 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.