Shtatë (7) vjet e gjashtë (6) muaj burgim ndaj Xh.S, për veprën penale grabitja
09/02/2018
Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot 9 shkurt 2018, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Xh.S, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitja”, nga neni 329 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Musa Konxheli, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin Xh.S, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej shtatë (7) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej dy mijë e pesëqind (2.500) euro,.

I pandehuri akuzohet se në dhjetor të vitit 2015, në Ferizaj ka hyrë në shtëpinë e A.S me vëllain e tij D. dhe një person të panjohur dhe me përdorimin e forcës kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit me qëllim që t’i sjellin vetës dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që të maskuar, pasi ju është hapur dera e shtëpisë nga G.S i cili ishte i vetëm në shtëpi e kanë kapur të njëjtin duke e tërhequr zvarrë dhe duke i kanë kërkuar paratë e babait të tij i cili posedon një ndërmarrje për këmbimin e valutave dhe me këtë rast kanë filluar të demolojnë orenditë e dhomave dhe kanë gjetur dymijë e treqind (2.300) euro dhe stoli ari në vlerë rreth njëmijë e katërqind (1.400) euro, ndërsa pas kontrollimit të shtëpisë të njëjtit e kanë lidhur viktimën për karrige dhe janë larguar nga shtëpia.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej (pesëmbëdhjetë) 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.