Enver Peci: Hetimi i plotë lehtëson marrjen e vendimit të drejtë nga gjykata
27/01/2018
Prishtinë, 27 janar 2018 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka marrë pjesë në Konferencën vjetore të Prokurorëve, me ç’rast ka mbajtur fjalim para të pranishmëve duke theksuar rëndësinë e këtij organizimi. Ai ka folur për reformën në gjyqësor, duke vënë në pah se fokusi ka qenë tek krijimi i një sistemi gjyqësor të përgjegjshëm, të pavarur dhe efektiv. Sipas tij, zbatimi me efektivitet i këtyre ndryshimeve ligjore është në proces në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e vendit.

“Po ashtu, edhe Gjykata Supreme ka qenë mjaft e angazhuar për t’u dhënë jetë këtyre ndryshimeve, si përmes vendimeve unifikuese, qëndrimeve parimore dhe mendimeve juridike, ashtu edhe përmes kontakteve të vazhdueshme me gjykata dhe gjyqtarë të të gjitha niveleve”, është shprehur ai.

Para të pranishmëve, kryetari Peci, bëri me dije se në vazhdën e aktiviteteve të Gjykatës Supremes, një nga problemet që është hasur në praktikë, ka qenë politika ndëshkimore, ku është vërejtur se për raste të ngjashme, gjykatat kanë shqiptuar dënime të ndryshme, të cilat kanë qenë objekt i pakënaqësive të palëve dhe njëherësh të kritikave të ndryshme nga akterë të ndryshëm. Ndaj, me qëllim të unifikimit të praktikës gjyqësore, sa i përket kësaj çështjeje, Gjykata Supreme e Kosovës me mbështetjen e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe Ambasadës Amerikane në Prishtinë, është duke e përgatitur një doracak –udhëzues për politikën ndëshkimore, i cili, në të ardhmen, do të jetë mjet punues për gjyqtarë, por edhe për prokurorë”, ka pohuar kryetari duke shtuar se përmes këtij doracaku do të bëhet përpjekje që të qartësohen dispozitat e Kodit Penal rreth matjes së dënimit dhe kështu të unifikohet politika ndëshkimore në Kosovë. Ky doracak pritet që shumë shpejt të aprovohet në seancën e përgjithshme të Gjykatës Supreme.

/GetDocument/8271

Gjatë fjalimit të tij, kryetari Peci ka folur para të pranishmëve edhe për rolin e institucionit të prokurorit të shtetit, si një rol thelbësor në parandalimin, goditjen dhe vënien para drejtësisë të elementeve kriminale. Ai ka nënvizuar nevojën e bashkëpunimit të institucioneve relevante, pasi, sipas tij, zhvillimi i një hetimi të plotë e profesional nënkupton kryerjen e veprimeve të rregullta procedurale që kanë të bëjnë me marrjen dhe dokumentimin e provave, zbatimin e teknikave speciale hetimore, hartimin e akteve procedurale të vlefshme dhe të përdorshme në gjykim, argumentimin e saktë dhe të mjaftueshëm ligjor të çështjes, marrjen në mbrojtje të dëshmitarëve dhe viktimave të krimit, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive, etj.. Ky proces finalizohet me përgatitjen e dosjes dhe dërgimin e çështjes në gjykatë. Sa më e plotë dhe sa më e rregullt të jetë dosja, aq më të lehtë e ka edhe gjykata marrjen e një vendimi të drejtë, të bazuar në prova e në ligj. Por, në rast së cilësia e hetimit nuk është në nivelin e duhur, atëherë edhe cilësia e gjykimit si dhe rezultatet që vijnë nga ky proces nuk do të jenë në nivelin e dëshirueshëm, çka mund të sjellë pasoja të dëmshme në drejtim të rënies së forcës parandaluese dhe goditjes së krimit nga ana shtetit, e për rrjedhojë të rënies së efektshmërisë së masave për luftën kundër krimit”.

Në fund të fjalimit, kreu i Supremes ka theksuar edhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve në përpjekje për të luftuar korrupsionin në sistemin e drejtësisë.