Falënderim i kryetarit Hyseni për rolin dhe kontributin e çmuar të gjyqtarit Agim Maliqi
16/02/2018
Ferizaj, 16 shkurt 2018 - Gjykata Themelore në Ferizaj, ka organizuar takim lamtumirës për gjyqtarin e Departamenti të Krimeve të Rënda z.Agim Maliqi, i cili nga kjo pozitë është avancuar në pozitën e gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Më këtë rast, kryetari i gjykatës Bashkim Hyseni, duke falënderuar dhe përgëzuar gjyqtari Maliqi për kontributin e dhënë për pesëmbëdhjetë (15) vjet në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka thënë se “Falënderojë gjyqtarin Maliqi për kontributin, angazhimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, në avancimin e proceseve gjyqësore dhe arritjen e objektivave të gjykatës.  I urojë suksese në rrugëtimin e ri profesional dhe jetësor”

 

Në shenjë respekti për kontributin e dhënë në arritjen e objektivave të Gjykatës Themelorë në Ferizaj, kryetari Hyseni ka ndarë mirënjohje falënderimi për gjyqtarin në largim z.Agim Maliqi.

 

Biografia e Gjyqtarit Agim Maliqi.

Mr.sc. Agim Maliqi, ka qenë gjyqtar në departamentin për krime të rënda si dhe nënkryetar i Gjykatës Themelore të Ferizajt. Maliqi, ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2001, kurse provimin e jurisprudencës e kreu në vitin 2004. Nga viti 2002 deri në vitin 2003, kreu parktikën profesionale në Gjykatën Komunale në Ferizaj, ndërkaq nga viti 2003 deri më 2004, ka ushtruar detyrën e referentit për ekzekutim në Gjykatën Komunale në Ferizaj, kurse nga viti 2004 deri në vitin 2008, ka ushtruar detyrën e bashkëpunëtorit profesional në Prokurorinë Publike Komunale në Ferizaj. Më 2008 është emëruar si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Ferizaj. Nga janari 2013 Agim Maliqi, u emërua, gjyqtar në departamentin për krime të rënda. Ka qenë anëtar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Zëvendës i Kryesuesit të KGJK-së. Nga viti 2017 deri në fund të muajit janar 2018 ka ushtruar pozitën e nënkryetarit të Gjykatës Themelore ne Ferizaj.