Gjyqtari Afrim Shala dekretohet për gjyqtar në Gjykatën e Apelit
22/02/2018
Gjilan – 22.02.2018 – Me propozim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës gjyqtari Afrim Shala dekretohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për gjyqtar në Gjykatën e Apelit.

Gjyqtari Shala gjithashtu ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Më poshtë po e japim një biografi të shkurtër për gjyqtarin Shala:

Afrim Shala ishte emëruar me datë 13 janar 2017 nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ushtrues Detyre i Kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të gjykatës. 

Shala ka punuar gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda, njëherit edhe zëvendëskryetar në Gjykatën Themelore Gjilan. Ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe në po të njëjtin Universitet ka përfunduar studimet postdiplomike të magjistraturës, në drejtimin penalo-juridik.

Pas diplomimit në vitin 2003, përvojën e tij e ka filluar si nëpunës i ekzekutimeve në Gjykatën Komunale të Gjilanit, për të vazhduar mandej si bashkëpunëtor profesional në Prokurorinë Publike të Qarkut në Gjilan.

Provimin e Jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2006, kurse, si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Gjilan është emëruar në vitin 2010. Që nga ky vit, është edhe trajnues në Institutin Gjyqësor të Kosovës. 

Ka botuar disa libra dhe disa punime tjera hulumtuese-shkencore nga fusha e së drejtës penale, ku vlen të përmendet edhe botimi i këtyre teksteve:

-      Ankesa kundër aktgjykimit në procedurën penale të Republikës së Kosovës, Prishtinë, 2010;

-      Pjesa e posaçme e së drejtës penale me raste nga praktika gjyqësore, Gjilan, 2010;

-      Përmbledhje e ligjëratave nga lënda “E drejta penale I”, Gjilan, 2011;

-      Hyrje në të drejtën penale, Qendra Juridike e Kosovës, Prishtinë, 2011;

-      Kodi i Drejtësisë për të Mitur, Moduli Trajnues, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Prishtinë, 2012, (bashkë autor);

-      Shqyrtimi gjyqësor, Moduli Trajnues, Instituti Gjyqësor i Kosovës, Prishtinë, 2013;

-      Hyrje në të drejtën penale, Botimi i dytë, Gjilan, 2013 dhe

-      Doracaku për procedurë penale, Prishtinë, 2015 (bashkë autor).     

Këshilli Gjyqësor i Kosovës pritet që në ditët e ardhshme të caktojë një ushtrues detyrë të Kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit.