Dy të pandehurve u ndryshohen masat e sigurisë
26/03/2018
Prishtinë, 26.03.2018- Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar të premten më 23.03.2018, ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur më masat e sigurisë, në rastin e të pandehurve I.S., dhe A.S..

Të akuzuarit I.S. i është caktuar masa e paraburgimit pre 1 muaji, ndërsa të akuzuarit A.S. ajo arrestit shtëpiak, po ashtu pre 1 muaj.

Të dy këta, si pjesë e një grupi të pandehurish, po akuzohen për një serë veprash penale të parapara nga ana e Kodit penal të Republikës së Kosovës, si krim i organizuar, keqpërdorim i detyrës zyrtare, mashtrim në detyrë, nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore etj.

Ankesa e të akuzuarit tjetër të këtij rasti L.V., është refuzuar si e pa bazuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me anë të një aktvendimi të datës 12.03.2018, kishte refuzuar kërkesën e prokurorisë, për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.S. dhe I.S., ashtu që të parin e kishte lënë të mbrohet në liri, ndërsa të dytit ia kishte caktuar masën e paraqitjes në stacion policor edhe për 2 muaj.

Gjykata e Apelit gjen se pretendimet ankimore të prokurorit janë të bazuara.

Sa i përket të akuzuarit I.S.,nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë nga vazhdimi i fundit të paraburgimit, ndërsa sa i përket të pandehurit A.S., vlerësohet se për shkak të gjendjes shëndetësore edhe më masën e arrestit shtëpiak, do të mund të parandalohej arratisja, pengimi i rrjedhës se procedurës penale, apo përsëritja e veprës penale.