Njëmbëdhjetë (11) vjet burgim ndaj B.Sh, për veprën penale vjedhje grabitqare
04/04/2018
Ferizaj, 4 prill 2018 - Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot 4 prill 2018, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.Sh, i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje Grabitqare”, nga neni 328 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit, fjalëve përfundimtare, të pandehurin B.Sh, për veprën penale Vjedhje Grabitqare, nga neni 328 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vjet e gjashtë (6) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) euro, ndërsa për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) viti.

Në bazë të dispozitës së nenit 80 pika 2 të KPRK-së të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej njëmbëdhjetë (11) vjet.

I pandehuri akuzohet se në prill të vitit 2017, në Ferizaj në shtëpinë e të dëmtuarit B.R, me qëllim që pasurinë e vjedhur ta mbajë, ka sulmuar të dëmtuarin B.R; B.1.R dhe A.R, i cili është zënë në befasi në kryerjen e veprës penale të vjedhjes, në atë mënyre që i pandehuri i maskuar dhe me revole ka hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit, ka kontrolluar shtëpinë dhe në njërën nga dhomat ka marr tridhjetë (30) euro, ndërsa gjatë largimit me të vërejtur se të dëmtuarit i janë vënë pas, ndalet në hyrje të shtëpisë nxjerr revolen dhe shtënë dy herë në drejtim të të dëmtuarve, me ç’rast e godet një herë të dëmtuarin B.R në regjionin e gjoksit dhe të barkut i cili pëson dëmtime të rënda trupore, ndërsa me të dëgjua krismat dalin edhe të dëmtuarit A. R dhe V.S, të cilët gjatë kacafytjes me të pandehurin i njëjti i godet me shufër metalike të dëmtuarit, duke u shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej (pesëmbëdhjetë) 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.