Nëntëmbëdhjetë (19) vjet burgim ndaj F.D dhe F.Gj për vrasje të rëndë në shtytje dhe vrasje në tentativë
06/04/2018
Ferizaj - 6 prill 2018 - Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, sot 6 prill 2018, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.D dhe F.Gj, të cilët sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelorë në Ferizaj, akuzohen se kanë kryer veprën penale vrasja e rëndë në shtytje nga neni 147 pika 4, lidhur me nenin 24 të KPK-së dhe veprën penale të kryer në bashkëkryerje vrasja në tentativë nga neni 146 lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPK-së.

Trupi Gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sahit Krasniqi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, të pandehurin F.D, për veprën penale vrasja e rëndë në shtytje nga neni 147 pika 4, lidhur me nenin 24 të KPK-së, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej trembëdhjetë (13) vjet, dhe për veprën penale të kryer në bashkëkryerje vrasja në tentativë nga neni 146 lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPK-së e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) vjet. Në bazë të dispozitës së nenit 71 pika 1 të KPRK-së të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vjet. Ndërsa të pandehurin F.Gj, për veprën penale të kryer në bashkëkryerje vrasja në tentativë nga neni 146 lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPK-së e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) vjet.

Të pandehurit F.D dhe F.Gj akuzohet se në korrik të vitit 2010 në një restorant në Pejë, me dashje ka shtyrë vëllain e tij për kryerjen e veprës penale vrasja e tani të ndjerit B.L i moshës 24 vjeçare, duke rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë, në atë mënyrë që i pandehuri shkon në restorant, ku ishte tani i ndjeri i shoqëruar me disa persona të tjerë, fillon fjalosja mes të pandehurit dhe tani të ndjerit lidhur me një borxh që i pandehuri ja kishte të ndjerit, dhe në një moment ngritën në këmbë dhe këmbejnë fjalë fyese me tentim edhe të një konflikti fizik, mirëpo ndërhynë personat e tjerë prezent për ta penguar eskalimin e konfliktit, por i pandehuri nuk ulet dhe largohet dhe pas një ore kthehet në restorant me dy vëllezërit e tij F dhe H, të pajisur me mjete për të sulmuar jetën e të ndjerit dhe të dëmtuarit N.V.  dhe i pandehuri F.D me një shufër metalike, i pandehuri F.Gj me një dru bejsbolli, kurse i pandehuri H. me një pushkë automatike, sulmojnë fizikisht të ndjerin duke tentuar ta godasin me mjetet e tyre, mirëpo i ndjeri mbrohet me karrige, atëherë i pandehuri H pasi merr aprovimin nga i pandehuri F.D shkrep dy plumba në drejtim të të ndjerit B duke e goditur në pjesën ballore të kokës si dhe në anën e djathtë  të gjoksit, duke i shkaktuar fashitje të trurit, gjakderdhje të brendshme dhe  të jashtme, ndërsa rrezikohet jeta edhe e personave të tjerë të cilët ishin prezent, me ç’rast i dëmtuari N.V pëson lëndim të lehtë nga predha e armës.

Bazuar në dispozitën e nenit 393 paragrafi 5 të KPPK-së të pandehurve F.D dhe F.Gj, i’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej (pesëmbëdhjetë) 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.