Miratohet pjesërisht Kërkesa për Mbrojtjen e Ligjshmërisë për K.P., i dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim të parave
08/06/2018
Prishtinë, 8 qershor 2018 – Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të dënuarit K.P., për shkak të veprës penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPRK-së, veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 të KPRK-së dhe veprën penale pastrim i parave nga neni 56 par.1 i Ligjit për Pastrimin e Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit Ligji nr.05/L-096, duke vendosur, sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të dënuarit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 28 qershor 2017 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të datës 20 nëntor 2017, në seancën e kolegjit, të mbajtur më datë 15 maj 2018, ka miratuar pjesërisht Kërkesën për Mbrojtjen e Ligjshmërisë, të mbrojtësit të të dënuarit K.P., ka anuluar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, vetëm përkitazi me veprën penale pastrimi i parasë, dhe çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.

Pjesa tjetër e aktgjykimit është ndryshuar vetëm përkitazi me dënimin e shqiptuar, ashtu që për veprën penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPRK-së, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj, e merr si të vërtetuar, kurse për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite, po ashtu e merr si të vërtetuar, ashtu që i shqipton dënim unik burgimi, në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti për Krime të Rënda, të dënuarit K.P., i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues - ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbime publike si dhe ushtrimi i profesionit të avokatit në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite, duke filluar nga dita e përfundimit të ekzekutimit të dënimit me burgim. I është konfiskuar pasuria si rezultat /përfitim nga kryerja e veprës penale si: banesë në Klinë; banesë në Prishtinë, patundshmëri në të cilën është e ndërtuar një shtëpi në Ulqin; parcelë në Ulqin; patundshmëri në Ulqin; patundshmëri – livadh në Ulqin; parcela në Ulqin, patundshmëri në Ulqin; shtëpi dy kate, në Klinë; si dhe tokë bujqësore; lokal afarist në Klinë; automjeti “Audi A6” dhe mjete financiare nga shitja e dy lokaleve afariste, paraprakisht të blera nga K.P..

Në kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, të ushtruar nga avokati mbrojtës i të dënuarit, pretendohet se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, përmban shkelje të ligjit penal, shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje të dispozitave përkitazi me konfiskimin e pasurisë etj..

Gjykata Supreme, në seancën e mbajtur, shqyrtoi të gjitha shkresat e çështjes dhe konstatoi se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është pjesërisht e bazuar.