Aprovohet kërkesa e Prokurorit të Shtetit për mbrojtje të ligjshmërisë, në rastin e mjekut të akuzuar për marrje ryshfeti
11/06/2018
Prishtinë, 11 qershor 2018 – Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të pandehurit L.M., nga Gjilani, për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 428 par.1 të KPK, duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të ushtruar nga Prokurori i Shtetit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan të datës 21 shtator 2016 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të datës 4 tetor 2017, në seancën e kolegjit të mbajtur, më 30 prill 2018 ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të Prokurorit të Shtetit, ku konstatohet se me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, janë shkelur dispozitat e procedurës penale dhe të ligjit penal, në dobi të të pandehurit L.M.

       Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, i pandehuri L.M. është liruar nga akuza në mungesë të provave, për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit, ndërsa i dëmtuari M.O., është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike. Në procedurën ankimore Gjykata e Apelit, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ndërsa aktgjykimin e shkallës së parë e ka vërtetuar.

       Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur Prokurori i Shtetit, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe për shkak të shkeljes së ligjit penal.

       Gjykata Supreme e Kosovës, në seancën e kolegjit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e çështjes, vlerësoi pretendimet nga kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe konstatoi se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e ushtruar nga Prokurori i Shtetit është e bazuar.  

I dëmtuari gjatë hetimeve në deklaratën e tij, dhënë para prokurorit, ka theksuar se pasi që janë marrë vesh me të pandehurin që nënën ta bëjë operacion në klinikën e qytetit, ai i ka kërkuar 500 € për penj dhe 500 € tjera i duhen “me i qaros disa kolegë të mi dhe nuk po mbet kurgjo”, e kur i dëmtuari e pyet “ a janë boll 1.000 €” i pandehuri i përgjigjet përsëri “veç për penj duhen 500 €”. Kjo dëshmi, në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, konsiderohet plotësisht e pranueshme, kredibile dhe provë e drejtpërdrejt e cila vërteton në tërësi përgjegjësinë penale të të pandehurit, dhe konstaton se të dy gjykatat kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale pasi që gabimisht e kanë shpall deklaratën e tillë si kontradiktore dhe jokredibile duke mos dhënë arsyetim se pse kjo dëshmi është jo e besueshme. Edhe sa i përket ligjit penal, që të dy gjykatat e kanë shkel të njëjtin në dobi të pandehurit duke ardhur në përfundim se i njëjti nuk e ka kryer veprën penale që i vihej në barrë me aktakuzë.

I pandehuri L.M.- mjek kirurg në Spitalin Regjional të Gjilanit në kuadër të autorizimeve të tij si mjek – person zyrtar ka pas edhe kryerjen e shërbimeve-operimeve të pacientëve, të cilët lajmërohen në këtë spital.

Sipas arsyetimit në Aktgjykim të Gjykatës Supreme, që të dy gjykatat, kanë dështuar që të japin arsyetim ligjor se pse nuk i kanë besuar deklaratës së dëshmitarit M.O. përkundër faktit se kjo është vërtetuar edhe me deklaratën e dëshmitarit, policit Sh.H., ndaj, Gjykata Supreme konstatoi se aktgjykimet e kundërshtuara kanë shkelur dispozitat e procedurës penale dhe ligjin penal në dobi të të pandehurit L.M..