Një (1) muaj paraburgim për të dyshuarin nga Prizreni
27/06/2018

PRIZREN - 27.06.2018 - Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale E.Lj nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së, dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së. Masa e paraburgimit prej një (1) muaji do ti llogaritet prej kohës së arrestimit datë 25.06.2018, nga ora 16:00 min. dhe do të zgjasë deri me datën 24.07.2018.

Me datën 20.06.2018 rrethe orës 23:55 minuta, në Prizren në cilësi të bashkëkryerësve me dashje tentojnë ta privojnë nga jeta një person tjetër, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake që e kishin disa ditë më parë me të pandehurin me iniciale E.Xh., pajisen me armë zjarri, me të arritur te vendin kritik, e në momentin kur e vërejnë E.Xh. duke e hapur dritaren e taksisë te taksisti me iniciale E.F., i pandehuri me iniciale F.S. me pistoletën e modelit VZ0R 50, i prodhimit çek, B.S. me një armë të zjarrit për momentin të tipit të panjohur dhe E.Lj. me një pistoletë të modelit “CZ999SKORPION” shtënë në drejtim të E.XH. dhe pas përfundimit të shtënave largohen nga vendi i ngjarjes. Gjykata thekson se qëndron arsyeja e veçantë për caktimin e paraburgimit, në rrethanën se tre pjesëmarrësit tjerë të këtij incidenti penal gjenden edhe sot e kësaj dite në arrati.