Shala: Gjykata e Apelit për gjashtë muaj, ka zgjidhur mbi gjashtë mijë lendë
13/07/2018
Kryetari i Gjykatës së Apelit Hasan Shala, ka thënë se institucioni që ai drejton ka shtuar dukshëm efikasitetin në gjysmën e parë këtij viti.

Në një konferencë për media ,Shala tha se përkundër sfidave dhe vështirësive, gjyqtarët e kësaj gjykate kanë arritur t’i kryejnë mbi 6 mijë lëndë, nga 19 mijë sa ka pasur në punë.

“Gjykata e Apelit, për fat jo të mirë, e ka filluar punën në vitin 2018 më 12 e 576 lëndë të pa zgjidhura. Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2018, kemi pranuar në punë 7 mijë e 12 lëndë. Në total i bije se gjatë kësaj periudhe kemi pasur në punë 19 mijë e 588 lëndë. Nga to, përkundër sfidave dhe vështirësive gjykata ka arritur t’i zgjidh 6 mijë e 410 lëndë. Ndërsa në punë vazhdojnë te mbesin edhe 13 mijë e 178 lëndë “- shtoj ndër të tjera Shala.

Sipas tij, nëse këtë numër të lëndëve te zgjidhura, e krahasojmë me numrin e lëndëve të pranuara gjatë këtyre muajve, del se janë zgjidhur 91 % të lëndëve qe kanë ardhur në gjykatë, apo 572 lëndë më shumë se ne periudhën e njëjtë të viti 2017.

Kryetari Shala, potencoi se në Gjykatën e Apelit, nuk ka asnjë lëndë që ka të bëjë me procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa lëndët kundër korrupsionit po shqyrtohen me prioritet.