“Të parandalojmë krimet potenciale dhe të sigurojmë jetën e qytetarëve, para se të kthehen në viktima”
22/10/2018
Prishtinë, 22 tetor 2018 – Në ““Javën për të drejtat e viktimave të krimit”, të organizuar nga Prokuroria e Shtetit, organizim që ka mbledhur rreth vetës krerët më të lartë të shtetit, me fjalë rasti është paraqitur edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, i cili para të pranishmëve theksoi nevojën e mbrojtjes për viktimat dhe shqiptimin e dënimeve meritore për shkelësit e të drejtave të njeriut.

“Në këtë ditë të rëndësishme, që mes tjerash, synon edhe ngritjen e vetëdijes sonë për të drejtat e viktimave, gjendjen e tyre psiko-sociale, statusin e tyre në shoqëri, kur vendosim për rastet e ndjeshme, rastet me prioritet, si ato të dhunës në familje, duhet të tregohemi më syçelët. Nuk guxojmë dhe e kemi të pafalshme që të jemi tolerant ndaj dhunuesve të të drejtave të njeriut, të grave në këtë rast. Nuk guxojmë të falim ata që përdorin forcën ndaj dikujt që është më i dobët fizikisht në këtë aspekt. Dhe ai dikush në shumicën e rasteve është një nënë, një grua, një vajzë, një motër, një fëmijë, ndaj të cilës përdoret dhunë, rrihet e madje edhe vritet”. Sipas tij, e kemi për detyrë që t’i mbrojmë viktimat duke shqiptuar dënim meritor për secilin shkelës të të drejtave të njeriut. “E kemi për detyrë që përmes politikës ndëshkimore, të pengojmë zhvillimin e dukurive negative, të parandalojmë krimet potenciale dhe të sigurojmë jetën e qytetarëve, para se të kthehen në viktima”.

/GetDocument/12970

Kreu i Supremes, nënvizoi faktin se çfarëdolloj kompensimi nuk është satisfaksion i mjaftueshëm për një viktimë krimi. “Asgjë nuk e kompenson dhunën, torturën, traumën e aq më pak marrjen e jetës së dikujt. Por, kriminelët duhet të paguajnë për krimet e tyre. Shteti duhet të kujdeset për viktimat”.

Sipas tij, bartësit e funksioneve zyrtare, duhet të riafirmojnë të drejtën e secilit për të jetuar i lirë nga dhuna, “ne duhet të punojmë fortë për të garantuar shërbime të denja për viktimat, trajtim të dinjitetshëm, pa diskriminim, shqyrtim me prioritet të rasteve të viktimave në familje, të rasteve të të miturve dhe mbi të gjitha gjykim të drejtë e dënim meritor për kryerësit e veprave penale të krimit”.

“Qindra jetë janë humbur si pasojë e krimit dhe mijëra të tjera kanë ndryshuar përgjithmonë për keq, po si pasojë e krimit. Një baba, një nënë, nuk do të pushojë kurrë i qetë nëse vrasësi i fëmijës së tyre nuk ka marrë dënimin e merituar. Një grua nuk do të rimëkëmbët kurrë nëse ka duruar dhunën sistematike nga burri dhe shteti nuk i siguron mbrojtjen, strehimin e risocializimin e duhur e larg atij që e shndërroi në viktimë”, theksoi kryetari Peci, duke ua kujtuar të pranishmëve se “para se të vishemi në petkun e gjyqtarit, prokurorit, secili kemi një epitet tjetër para tij, secili jemi fëmija i dikujt, prindi i dikujt, vëllai e motra e dikujt. Ndaj, në punën tonë të përditshme, nuk duhet ta harrojmë këtë rol, ne duhet ta ndiejmë përjetimin e viktimës, dhimbjen e viktimës dhe familjarëve të saj. Siç thotë një fjalë e urtë popullore, “ta qesim në vete”, atë që i ka ndodhur viktimës dhe familjarëve të saj. Jam i bindur se ky parim i pashkruar, na bënë më të arsyeshëm në gjykim, më të ashpër në dënim ndaj atyre që kryejnë vepra të rënda kriminale, na mban më afër vlerave njerëzore dhe e rrit moralin tonë në punën që për ne është e përditshme, por për viktimën është vetë kuptimi që do të marrë tutje jeta”.

Si kryetar i Gjykatës Supreme, Enver Peci, siguroi të pranishmit se në instancën më të lartë gjyqësore, rastet me viktima të krimit do të vihen nën llupen e kolegjeve profesionale dhe do të marrin vendimin meritor dhe trajtimin me përgjegjësinë më të lartë njerëzore.

Me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, “Javës për të drejtat e viktimave të krimit”, po mbahet qe nëntë vite radhazi, ndërkaq konferenca do të vazhdojë edhe ditën e nesërme.