Caktohet masa e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak ndaj të dy pandehurve
21/11/2018
Gjilan, 21 nëntor 2018 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurit M. K. , ndërkohë ka refuzuar kërkesën për caktim të paraburgimit për të pandehurën F. K., duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 (tridhjetë) ditësh.

Të pandehurit dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, e kanë kanosur të dëmtuarin E. E., se nëse nuk u jep i njëjti të holla në shumën prej 5.000 Euro, ata do të zbulojnë një videoinxhizim i cili do të dëmtonte nderin dhe autoritetin e tij.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale shantazh nga neni 341 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M. K., ndërsa për të pandehurën F. K. masa e arrestit shtëpiak.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.