Mbahet tryezë diskutimi e Komisionit për Politikë Ndëshkimore me kryetarë të gjykatave dhe kryeprokurorë
27/11/2018
Prishtinë, 27 nëntor 2018 – Nën drejtimin e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, njëherësh kryetar i Komisionit për Politikë Ndëshkimore, është mbajtur tryezë diskutimi me anëtarët e këtij Komisioni, kryetarët e gjykatave, mbikëqyrësit e degëve të këtyre gjykatave, kryeprokurorët, përfaqësues nga Ambasada Amerikane dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në hapje të tryezës, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, i njoftoi të pranishmit me qëllimin e takimit, duke sqaruar para tyre se pas aprovimit të Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore, është themeluar Komisioni për Politikë Ndëshkimore, i cili ka për qëllim krijimin e një pasqyre rreth politikës ndëshkimore në vend dhe planifikimin e hapave të mëtutjeshëm në implementimin e Udhëzuesit të Gjykatës Supreme, për Politikën Ndëshkimore.

“Si Komision do të dalim me analiza dhe rezultate konkrete rreth matjes dhe caktimit të dënimeve dhe do të befasoheni se çka ka ndodhur me politikën ndëshkimore”, u shpreh kreu i Supremes, para të pranishmëve.

Ai vuri në pah se në praktikë, gjatë vendosjes së gjyqtarit, shpesh nuk bëhet fjalë për diskrecionin e gjyqtarit, por për zbatim arbitrar të ligjit, ndaj, bëri thirrje që të gjithë bashkë të reagojnë sa më shpejt në përmirësim të kësaj situate, në të kundërtën, sipas tij, “nuk arsyetohet qëndrimi në pozitat që mbajmë”.

 

“Konsideroj se kemi arsye të mjaftueshme për të dhënë një mesazh për të gjithë zbatuesit e ligjit, jo vetëm gjyqtarët e prokurorët por edhe avokatët, që t’i kushtojnë rëndësi të veçantë caktimit të dënimeve”, u shpreh kryetari.

Kreu i Supremes ka folur me tone të ashpra sa i përket politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit. “Nëse vërtetohet një vepër penale e korrupsionit që është kryer dhe dikush shpallet fajtor dhe i shqiptohet dënim me kusht, me të vërtetë është qesharake të bisedohet se çka po ndodh”, theksoi ai.

Kryesuesi i komisionit për politikë ndëshkimore pohoi se ka një pabarazi të hapur, sa i përket shqiptimit të dënimeve ndaj kryesve të veprave penale, në rrethana dhe vepra të ngjashme. “Trajtimi i pabarabartë nënkupton edhe pabarazi. Trajtimi i pabarabartë i kryesve të veprave penale është shkelje e Kushtetutës dhe të drejtave themelore të individit”, nënvizoi ai. 

Tutje kryetari ka elaboruar punën e këtij komisioni, duke falënderuar njëkohësisht Ambasadën Amerikane për mbështetjen që po i ofron Komisionit dhe kontributin që po jep në zbatimin e Udhëzuesit nga gjykatat.

Edhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka shprehur shqetësimin e tij me shqiptimin e dënimeve nën minimumin e lejuar ligjor, duke shprehur pritjet se një praktikë e tillë do të ndryshohet nëse Udhëzuesi vihet në zbatim.

Ndërkaq, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë, Nehat Idrizi shprehu mbështetjen e tij si kryesues ndaj punës së këtij komisioni, duke theksuar faktin se Udhëzuesi nuk është obligues për zbatim nga gjyqtarët, por zbatimi i tij është me rëndësi për të përmirësuar politikën ndëshkimore në vend.

/GetDocument/14332

Gjatë tryezës u diskutua edhe për gjetjen e mënyrave më efikase për zbatim të  Udhëzuesit ndërkohë që të pranishmit, kanë ndjekur prezantimin e ekspertit të Ambasadës Amerikane, Constantine Soupios, lidhur me Udhëzuesin për Politikë Ndëshkimore.

Kjo tryezë është organizuar me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë.

 

 

* * *

Anetarë te Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore janë:

Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme- njeherësh kryetar i Komisionit

Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Shtetit, anëtar

Afërdita Bytyçi, kryetare e Gjykatës Themelore, Prishtinë, anëtare

Mejreme Memaj, gjyqtare, Gjykata e Apelit, anëtare

Valon Kurtaj, drejtor, Akademia e Drejtësisë, anëtar

Agim Maliqi, gjyqtar, Gjykata Supreme, anëtar

Osman Havolli, kryetar, Oda e Avokatëve të Kosovës, anëtar

 

* * *

Udhëzuesin për Politikë Ndëshkimore mund ta gjeni tek moduli: Raportet, nën-moduli - Raportet Strategjike