Një (1)muaj caktohet masa e paraburgimit dhe masa e arrestit shtëpiak
10/01/2019

PRIZREN – 10.01.2019 - Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale L.D. nga fshati Celina, Komuna e Rahovecit, dhe masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurës me iniciale A.D. nga fshati Xerxa, Komuna e Rahovecit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer secili veç e veç veprën penale, falsifikimi i parasë nga neni 302 para.2 të KPRK-së. Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 08.01.2019 e cila do të zgjasë deri me datën 08.02.2019, ndërsa masa e arrestit shtëpiak do të llogaritet prej datës së arrestimit 08.01.2019 e cila do të zgjasë deri më datën 08.02.2019.

Nga shkresat e lëndës rrjedhë dyshim i bazuar se në ditën kritike i transportojnë respektivisht i posedojnë para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim si të vërteta, ashtu që pas ndalimit nga patrulla e policisë të automjetit “Audi” të cilin e drejtonte i pandehuri me iniciale L.D. dhe si bashkudhëtare e pandehura me iniciale A.D., dhe gjatë kontrollës janë gjetur monedha metalike në vlerë të përgjithshme prej 1000 (njëmijë ) euro të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara, dhe një sasi e cigareve prej 96 pako të cilat dyshohen të jenë blerë me para të falsifikuara.

Se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.