Kryetari Hasani vlerëson rolin e mediave në raport me gjykatat
13/05/2016
Prishtinë, 13 maj 2016 – Të premten, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Ass. Dr. Fejzullah Hasani, në cilësinë e panelistit, ka marrë pjesë në konferencën vjetore të organizuar nga BIRN dhe Internews Kosova, në të cilën u publikua raporti i Monitorimit të Gjykatave për vitin 2015.

Pasi ka përgëzuar BIRN-in për punën e tyre në monitorimin e gjykatave, kryetari Hasani e ka cilësuar raportin korrekt dhe me gjetje të rëndësishme. Duke iu adresuar këtij Raporti, i cili përmend rastin e KEK-ut, si një nga rastet ku nuk janë respektuar afatet e hetimeve, kreu i Supremes, ka sqaruar para të pranishmëve se “Ligji i ka limituar afatet dhe ka paraparë konsekuenca ligjore nëse nuk përfundojnë hetimet me kohë. Qarkores që iu keni referuar në Raport, ju sqaroj se nuk ka qenë fjala për qarkore, por për një letër që asokohe i është adresuar U.D. të Kryeprokurorit Sylë Hoxha, me sugjerim që prokurorëve t’u vihet në pah se ligji i ri parasheh konsekuenca nëse nuk respektohen afatet 24 muaj të hetimeve, dhe të mos vazhdojnë me inercion me ligjin e vjetër. Qëllimi ka qenë që të mos lejohet vjetërsimi i lëndëve për shkak të një inercioni të prokurorëve te norma e vjetër”, ka bërë të qartë Prof. Ass. Dr. Hasani.

 

/GetDocument/2449

Ndërkaq, duke folur për parashkrimin e lëndëve, ai ka nënvizuar faktin se parashkrimi nuk mund të evitohet, “Ligji ka përcaktuar afatin absolut dhe atë relativ, por për parashkrimin relativ, e kam thënë dhe po e përsëris, se kurrë gjyqtari nuk mund të arsyetohet se ka numër të madh të lëndëve për ta arsyetuar parashkrimin e lëndëve. Nëse lënda është parashkruar për shkak të mos-punës së gjyqtarit, kjo në asnjë arsyetim nuk justifikohet”, ka pohuar kryetari.

Tutje kreu i Supremes, ka folur edhe për dënimet, duke thekuar faktin se ka shpërputhje ekstreme sa i përket politikës ndëshkimore. Ai ka vënë në pah se dënimet janë shumë të ulëta sa i përket armëmbajtjes pa leje, sa i përket korrupsionit etj.. Por, kjo çështje, sipas tij, mund të rregullohet shumë lehtë mes prokurorëve dhe Gjykatës së Apelit. “Prokurorët duhet të apelojnë, e Gjykata e  Apelit t’i unifikojë ato dënime, të krijojë një standard për to. Edhe në rast se frikohet gjyqtari i shkallës së parë që të shqiptojë dënim të ashpër për korrupsion, kjo me ankesë të prokurorit mund të sanohet në Gjykatë të Apelit”, është përgjigjur kryetari në dilemat e moderatorëve të tryezës se mos dënimet e buta janë si pasojë e frikës së gjyqtarëve, sidomos në rastet e korrupsionit.

Në konferencë u diskutuan të gjeturat e monitorimit të mbi 500 seancave gjyqësore dhe të gjetura të tjera teknike të cilat BIRN dhe Internews Kosova i ka identifikuar gjatë vitit 2015. Drejtuesit e konferencës e çmuan lart rolin dhe kontributin e kryetarit Hasani në përpjekjet për të adresuar çështjet e dala nga raportet e përvitshme të kësaj organizate.