Drejtori i USAID-it James Hope viziton Gjykatën Themelore në Gjilan
15/05/2017
Gjilan, 15 maj 2017 – Zëvendës U. D. Kryetarit Agim Ademi, ka pritur në një takim gjatë ditës së hënë Drejtorin e Misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, me të cilin kanë diskutuar për punën e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Ademi ka njoftuar Drejtorin Hope për kushtet e mira që janë në gjykatë, të cilat janë edhe falë donatorëve të huaj, e në veçanti Misionit të USAID - it.

Një nga sfidat me të cilat përballet gjykata, Ademi ka thënë se është mungesa e gjyqtarëve dhe stafit ndihmës.

“Për Gjykatën tonë mbetet sfidë mungesa e gjyqtarëve dhe stafit ndihmës, në rastin e pozitave të gjyqtarëve kemi me zgjatje të procedurave deri në hapjen e konkursit, ndërsa tek stafi është mungesa e buxhetit. Ne kemi nevojë për bashkëpunëtorë profesional, pasi që ata do të ndihmonin në masë të madhe gjyqtarin”, tha Ademi.

Nga ana tjetër Drejtori i USAID-it Hope, ka mbetur i kënaqur me punën që është duke u bërë në Gjykatën Themelore të Gjilanit.

“Janë shumë mbresëlënëse procesi i rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, kryerjes së lëndëve, fuqizimi i sundimit të ligjit, që është qëllimi kryesor i USAID-it dhe Qeverisë së SHBA-së. Ne e dimë, kur kemi sundim të ligjit kemi demokraci, zhvillim ekonomik, mirëqenie më të mirë, por kjo nuk arrihet me lehtësi. Ekipi i jonë është krenar që mund të ju mbështes, por mbesin ende sfida për tu tejkaluar” tha Hope.

Gjykata Themelore e Gjilanit është gjykatë model për zgjidhjen e lëndëve përmbarimore.

Për këtë Shefi i Departamentit të Përgjithshëm, Berat Spahiu ka njoftuar drejtorin Hope me disa të arritura. 

“Në vitin 2013 kanë qenë 16.841 lëndë përmbarimore, deri më tash i kemi kryer 12.775 lëndë, ndërsa kanë mbetur edhe 4.050 lëndë në punë. Krejt ky sukses është arritur edhe falë ndihmës nga USAID-i me angazhimin e stafit në zgjidhjen e këtyre lëndëve. Të hyrat nga zgjidhja e këtyre lëndëve arrin shifrën e 30 milionë eurove” tha Spahiu.   

Rreth transparencës së gjykatës, Zv. U. D. Kryetarit Ademi ka njoftuar me publikimin e orarit të gjykimeve, procesin e publikimit të aktgjykimeve në vebfaqen e gjykatës dhe për seancat e hapura për publikun.

Më pas është zhvilluar edhe një takim mes Zv. U. D. Kryetarit dhe Drejtorit të USAID-it me zyrtarët që punojnë në zyrën përmbarimore dhe zyrtarët e ndërmjetësimit.