Kthehet në rivendosje aktvendimi me anë te cilit ishte refuzuar kundërshtimi i provave në aktakuzë dhe hudhja e aktakuzës, në rastin e të pandehurve S.M,V.G.M.S. dhe A.S.
26/05/2017
Prishtinë, 25 maj 2017 – Kolegji i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, e ka aprovuar ankesën e të pandehurit S. M. dhe mbrojtësve të pandehurve S. M., V. G. dhe M. S.,e sipas detyrës zyrtare edhe të pandehurit A.S. Aktvendimi i Gjykatës Themelore i datës 16.02.2017, më anë të të te cilit ishte refuzuar kundërshtimi i provave në aktakuzë dhe hudhja e aktakuzës, është anuluar dhe çështja i është kthyer shkallës së pare në rivendosje.

Gjykata e Apelit konstaton se aktvendimi i shkallës së parë, nuk ka paraqitur arsyet të qarta dhe konkrete ashtu si obligon dispozita e nenit 250 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.4 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse gjykata në aktvendimin me shkrim është e detyruar që të jap arsye, se pse veprat penale për të cilat akuzohen të pandehurit përbëjnë vepra penale, e gjithashtu gjykata e shkallës së parë është e detyruar që të jap arsye se nga cilat prova konkrete mbështet dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer vepër penale për të cilën akuzohen.  Kolegji konstaton se gjykata e shkallës së parë ka qenë e detyruar të jap arsye konkrete se pse provat janë të pranueshme dhe pse ka gjetur se kundërshtimi i provave dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës është e pa bazuar. Andaj vlerëson se në rivendosje gjykata e shkallës së parë duhet të mënjanoj shkeljet e theksuara dhe të jap arsye të qarta dhe konkrete për provueshmërinë e provave.