Bashkepunimi institucional

  • Bashkëpunimi me Gjykatën Kushtetuese Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese në Kosovë, ruajnë një bashkëpunim të frytshëm mes vete, i cili është thelluar edhe falë mbështetjes së organizatave të huaja në vend si dhe vendeve mike. Me përkrahjen e Fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar (IRZ), gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe ata të Gjykatës Kushtetuese kanë realizuar një varg takimesh zyrtare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Përveç IRZ-së, takimet e përbashkëta të këtyre dy institucioneve i ka mbështetur edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
  • Gjykata Supreme ka bashkëpunim të ngushtë edhe me Institutin Gjyqësor të Kosovës. Në këtë Institut, disa prej gjyqtarëve të Supremes janë trajnerë për kandidatët e rinj për gjyqtarë. Përveç kësaj, kryetari i Gjykatës Supreme, është anëtar i redaksisë së revistën juridike “Opinio Juris”, e cila publikohet nga IGJK.
  • Gjykata Supreme mban relacione bashkëpunimi edhe me Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, falë të cilit bashkëpunim, studentë të këtij fakulteti mund të kryejnë praktikë në gjykatë. Në vazhdën e këtij bashkëpunimi janë realizuar edhe vizita të studentëve e stafit akademik në gjykatë. Në frymën e bashkëpunimit me fakultetet juridike në tërë Kosovën, janë realizuar edhe vizita tjera të ngjashme e forma të frytshme bashkëpunimi.
  • Janë bërë vite që Gjykata Supreme ka bashkëpunim të ngushtë me organizatat e huaja në vend, posaçërisht me ato amerikane, si USAID, UNDP, të cilat kanë kontribuar në avancimin e sistemit të drejtësisë në vend. USAID ka kontribuar në shumë projekte, si në atë për zvogëlimin e lëndëve të prapambetura, në fushën e komunikimit, në atë të regjistrimit online të lëndëve, në fushën e mbështetjes profesionale për kryetarin e Gjykatës Supreme, në mbështetjen e Samitit të Kosovës për të Drejtën Ndërkombëtare, organizuar nga Gjykata Supreme, etj..
  • E gatshme për të mbështetur projektet e gjykatave, është treguar edhe UNDP, e cila përveç që ka mbështetur Samitin e Kosovës për të Drejtën Ndërkombëtare, organizuar nga Gjykata Supreme, në fund të vitit të kaluar ka investuar në një tjetër projekt, duke e bërë Gjykatën Supreme me bibliotekë moderne. UNDP ka kontribuar edhe në mbështetjen profesionale për kabinetin e kryetarit të gjykatës.
  • Një bashkëpunim i denjë është kultivuar edhe me OSBE-në në Kosovë, falë të cilit bashkëpunim, është mundësuar publikimi i buletineve të praktikës gjyqësore, të Gjykatës Supreme.
  • Gjykata Supreme ka relacione të shkëlqyera edhe me institucionet e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, falë të cilave relacione, realizohen vizita zyrtare, shkëmbime përvojash e bashkëpunime të ndryshme, posaçërisht me Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë, pastaj me Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatat tjera në Republikë të Shqipërisë.
  • Gjykata Supreme ka bashkëpunim edhe me Gjykatën Supreme në Mal të Zi, pastaj Gjykatën Supreme në Maqedoni etj..
  • Gjykata Supreme ka ndërtuar një bashkëpunim të frytshëm me Institutin për Diplomaci Kulturore (ICD), me seli në Berlin, falë të cilit bashkëpunim, në qershor të vitit 2015, Gjykata Supreme organizoi Samitin e Kosovës për të Drejtën Ndërkombëtare. Po ashtu, në kuadër të këtij bashkëpunimi, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, është zgjedhur anëtar i Bordit Këshillëdhënës të kësaj organizate prestigjioze, si dhe ka marrë pjesë në konferencat e organizuara nga ICD në vende të ndryshme të botës.