Komunikatë e përbashkët KGJK, KPK dhe Ambasadës së Norvegjisë në Prishtinë
19/10/2017
Prishtinë, 19 tetor 2017 – Me rastin e vizitës së delegacionit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë Norvegjeze dhe Administratës Gjyqësore të Norvegjisë, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë mbajtur takim të përbashkët.

Në këtë takim është diskutuar për projektin TIK/SMIL (TIK- Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, SMIL-Sistemi i Menaxhimit Informativ të Lëndëve), ecurinë e tij, punët që janë duke u bërë dhe ato që pritet të bëhen për realizimin e këtij projekti të mbështetur dhe financuar nga Qeveria e Norvegjisë.

Delegacioni nga Norvegjia ka vlerësuar të arriturat në realizimin e projektit të SMIL-it deri më tani dhe njëkohësisht janë dhënë edhe sugjerime dhe rekomandime për zbatimin e suksesshëm të projektit dhe për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjate të projektit. 

Po ashtu, u diskutua edhe për mundësitë tjera të ndihmës dhe bashkëpunimit në të ardhmen në mes të sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës me Qeverinë e Norvegjisë.

Gjatë këtij takimi, Kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi dhe ai i KPK-së, Blerim Isufaj, kanë falënderuar delegacionin norvegjezë për mbështetjen dhe financimin e projektit TIK/SMIL, duke e vlerësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm për ngritjen e efikasitetit në punët e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Kosovës.