Veriu integrohet në sistemin e drejtësisë së Kosovës
24/10/2017
PRISHTINË, 24 tetor 2017 - Për herë të parë që nga shpallja e deklaratës së pavarësisë më 2008, strukturat gjyqësore në veri të Kosovës integrohen dhe do të funksionojnë në kuadër të sistemit kosovar të drejtësisë. Ky është një hap i rëndësishëm për drejtësinë kosovare dhe shënon konsolidimin e një sistemi unitar të drejtësisë në tërë territorin e vendit, që do t’u garantojë qytetarëve qasje të barabartë në institucionet e drejtësisë si dhe realizimin e të drejtave të tyre kushtetuese e ligjore.

Shpërbërja e strukturave të mëhershme dhe integrimi i tyre në sistemin kosovar të drejtësisë është paraparë me Marrëveshjen për Sektorin e Drejtësisë të nënshkruar në Bruksel në prill të vitit 2013, si rezultat i dialogut mes Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë.

Procesit të integrimit i ka paraprirë plotësimi i parakushteve kyçe për fillimin e procesit të integrimit, të parapara me marrëveshjen e Brukselit.