Ka përfunduar punimet Konferenca e Shtatë Vjetore e Gjyqësorit Kosovar
02/12/2017
Prishtinë, 02.12.2017- Ka mbaruar punimet Konferenca e Shtatë Gjyqësore e Republikës së Kosovës, e cila mbështet nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE).

Punimet e Konferencës i hapi kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, i cili deklaroi se gjykatat e Kosovës, gjatë këtij viti, kanë shënuar rritje të konsiderueshme të efikasitetit në zgjidhjen e lëndëve. “Gjykatat themelore kanë treguar shkallë të efikasitetit mbi 100%, që do të thotë së kanë zgjidhur më shumë lëndë sesa kanë pranuar ndërsa Gjykata e Apelit, ka rritur produktivitetin, duke zgjidhur 6% më shumë lëndë sesa ka pranuar gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2017, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016”  – tha Idrizi.

Ai potencoi se të arritura ka pasur edhe sa i përket integrimit të Veriut, sipas Marrëveshjes se Brukselit. Ndërsa u zotua se gjykatat do të vazhdojnë t’i trajtojnë me prioritet lëndët kundër korrupsionit. Sipas tij në gjykata aktualisht janë 302 të tilla.  Mbështetje, institucionet e drejtësisë morën edhe nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaqi, ambasadori amerikan  Greg Delawie, ambasadori i OSCE –së në Kosovë, Jan Braathu, Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri,  si dhe udhëheqës të institucioneve tjera.

 

Në këtë konferencë,  këtë vit u diskutua për  ’’Të arriturat, sfidat e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe propozimet për zgjidhje’’. Gjithashtu u bënë prezantime edhe nga shoqëria civile, Avokati i Popullit dhe Forumi i grave Gjyqtare dhe Prokurore të Kosovës. Në fund u dhanë edhe rekomandime për hapat që duhet të bërë për një gjyqësor më të mirë, më efikas dhe më profesional.