Mbahet takimi i parë i Asamblesë së kryetarëve dhe gjyqtarëve mbikëqyrës
22/02/2018
PRISHTINË, 22 shkurt 2018 – Është mbajtur sot takimi i parë i Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës nën udhëheqjen e kryesuesit Bashkim Hyseni – kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Gjatë këtij takimi, janë diskutuar një mori  sfida të cilat e përcjellin sistemin gjyqësor në Kosovë, duke filluar nga pika e parë e rendit të ditës ku është diskutuar për përfshirjen aktive të gjyqësorit në procesin e draftimit të ligjeve që kanë të bëjnë me gjyqësorin. Andaj, lidhur me  këtë çështje, Asamblea i rekomandon Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), të nënshkruajë një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ministrinë e Drejtësisë (MD), me qëllim që në hartimin fillestarë të draft ligjeve të marrin pjesë ekspertët e fushave përkatëse të sistemit gjyqësor.

Edhe Rregulloret dhe Udhëzimet Administrative të KGJK-së të  nevojshme për vitin 2018, zënë vend të rëndësishëm në këtë takim ku u diskutua nga të gjithë të pranishmit, të cilët një zëri u pajtuan që, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) të hartoi një Plan – Strategji për miratimin e Rregulloreve brenda vitit, duke filluar këtu nga Rregullorja për përcaktimin e normave për gjyqtarë dhe gjyqtarë mbikëqyrës, hartimi i Rregullores të seancës së përgjithshme të Gjykatës Supreme, hartimi i Rregullores për arkivimin dhe asgjësimin e lëndëve të vjetra dhe të tjera.

Në fund, anëtarët e  Asamblesë diskutuan për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme dhe rekomanduan që KGjK, të ketë me prioritet në njërën nga mbledhjet e radhës çështjen e ri- funksionalizimit/ristrukturimit të Dhomës  së Posaçme të kësaj Gjykate.