Komunikatë e përbashkët e ministrisë së drejtësisë, këshillit gjyqësor të kosovës, këshillit prokurorial të kosovës dhe prokurorit të shtetit
22/03/2018
Prishtinë, 22 mars 2018 - Krerët e institucioneve të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, Kryetari i Gjykatës Supreme, z. Enver Peci, Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Korrupsionit, z. Reshat Millaku, Koordinatori i KGJK për lëndët e shenjëstruara në mekanizmin përcjellës dhe lëndët që lidhen me natyrën korruptive, z. Agim Maliqi kanë mbajtur sot një takim të përbashkët me kryeprokurorët e Prokurorive Themelore dhe Kryetarët e Gjykatave dhe Kryetarin e Gjykatës së Apelit, temë e të cilit ishte vlerësimi i kapaciteteve të organeve të zbatimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë për të adresuar përmbushjen e kushtit të dytë për liberalizimin e vizave, përkatësisht, rritjes së efikasitetit në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Përfaqësuesit e institucioneve më të larta të sistemit të drejtësisë, kanë vlerësuar realitetin e ri të krijuar pas ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, proces ky që e ofron Republikën e Kosovës më afër se kurrë liberalizimit të vizave për qytetarët e saj.

Udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë, kanë diskutuar mbi përgjegjësitë respektive të tyre për të përmbushur kriterin e fundit që lidhet me vlerësimin e masave dhe hapave konkret të ndërmarrë për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Në këtë agjendë, gjithashtu është diskutuar për politikat legjislative, përkatësisht përmbushjen e obligimeve që dalin nga Agjenda e Reformave Evropiane, Rekomandimet e Raportit të Vendit si dhe Pakon e Ligjeve Kundër Korrupsionit, masa këto të orientuara drejtpërdrejtë në funksion të rritjes së efikasitetit të sistemit të drejtësisë, parandalimit dhe luftimit të korrupsionit, si dhe sigurimit të integritetit të institucioneve publike.

Po ashtu, është diskutuar për rastet e evidentuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe është shprehur gatishmëria ndër-institucionale në kuadër të përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese të secilit prej institucioneve, për të pasur takime të rregullta për të dinamizuar punën, dhe për të ofruar mundësitë dhe mbështetjen e pa kursyer që këto raste të trajtohen me prioritet.