KOMUNIKATË
22/06/2018
Budvë, 21 qershor 2018 – Fjalimi i plotë i Kryesuesit të KGjK, Nehat Idrizi, në takimin e Rrjetit Ballkanik dhe Euro-Mesdhetar të Këshillave Gjyqësorë, i cili po mbahet në Budvë të Malit të Zi, si në vijim:

Tema: ‘Roli i Këshillave të gjyqësorit në luftën kundër terrorizmit - Përdorimi i mediave sociale nga gjyqtarët dhe prokurorët’

Terrorizmi sot është një fenomen global me shtrirje dukshëm përtej kufijve konvencional të shteteve sovrane. Të qenit të kërcënuar nga terrorizmi sot nuk përbën një lajm, dhe gati se çdo shoqëri demokratike sot nuk është e imunizuar nga ky fenomen. Kosova duke qenë një vend në tranzicion demokratik, megjithatë, mbetet shumë pak e ekspozuar ndaj rreziqeve që shfaqin sulmet dhe aktivitetet terroriste. Por, përkundër kësaj, përpjekjet në luftimin e këtij fenomeni asnjëherë nuk janë të izoluara, por kryhen si veprime të orkestruara dhe mirë të bashkërenduara ashtu që rreziku nga sulmet terroriste të zvogëlohet në minimumin e mundshëm. Kosova duke qenë se nuk është ekskluzivisht një vend i origjinës së terrorizmit, megjithatë, ka themeluar edhe strukturat e veta kryesore që t’i përgjigjen në mënyrë adekuate kërcënimeve ndaj terrorizmit. Këto struktura dhe institucione nuk reduktohen në instanca klasike të sundimit të ligjit, por shkojnë përtej kësaj skeme. Këtu, padyshim që institucionet e drejtësisë kanë një rol të madh dhe pjesë të përgjegjësisë.

 

Këshilli Gjyqësor i Kosovës i cili menaxhon me sistemin e gjykatave në vend përbën boshtin kurrizor të hartimit dhe implementimit të politikave publike sa i takon gjyqësorit në Kosovë, ky rol me të cilin është m’veshur ky institucionin sigurisht se nënkupton autorizime të gjera kushtetuese dhe ligjore sa i takon edhe luftimit të terrorizmit. Në linjë me këtë që u tha më sipër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të bëjë çdo përpjekje që të zhvillojë dhe mbajë një sistem efektiv kombëtar bazuar në parimet e sundimit të ligjit, të drejtësisë penale ashtu që të sigurojë, gjithnjë, që në pajtim me detyrimet që rrjedhin sipas së drejtës ndërkombëtare, që çdo person i cili merr pjesë në financimin, planifikimin, përgatitjen apo kryerjen e akteve terroriste apo që mbështetë aktet terroriste të sillet para institucioneve të drejtësisë, bazuar në parimet e ndjekjes penale, por gjithnjë duke garantuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. 

Këshilli Gjyqësor i Kosovës si garantues i pavarësisë dhe paanësisë së sistemit gjyqësor në Kosovë, do të bëjë politika, strategji do të alokojë resurse dhe do të mbikëqyrë zbatimin e tyre, duke siguruar që të gjitha garancionet procedurale janë respektuar në përpikëri, dhe se personat të cilët besohet të kenë kryer akte që ndërlidhen me terrorizmin të arrestohen, të akuzohen, të burgosen dhe të ndiqen penalisht. Këto garancione procedurale, duke përfshirë edhe personat që dyshohen të kenë kryer aktivitete terroriste, janë kritike për të siguruar që masat ndaj veprimeve anti-terroriste janë efektive, respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe duhet të shihen dhe të perceptohen që janë të drejta dhe proporcionale më qëllimin për të cilin janë ndërmarrë.

Ne, si përfaqësues të këtyre trupave që janë menaxhuese të sistemit gjyqësor duhet të shfrytëzojmë forumet e këtilla që të shkëmbejmë përvojat, praktikat dhe njohuritë institucionale në ngritjen e vetëdijes për rreziqet që paraqesin aktivitetet terroriste sot, por njëkohësisht të dalim me mjete efikase dhe masa adekuate që i përgjigjen në mënyrë proporcionale këtyre trendëve. Një përpjekje e tillë domosdoshmërish kërkon aksion të përbashkët, komunikim të bashkërenduar horizontal dhe resurse të përbashkëta në dispozicion. Ju ftojë që të kërkoni ndihmesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës sa herë që vlerësoni që këtyre përpjekjeve u kontribuon edhe ekspertiza apo edhe njohuritë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

 

Përdorimi i mediave sociale nga gjyqtarët dhe prokurorët

 

Duke pasur parasysh faktin që rëndësia e informimit të publikut nga ana e Këshillit Gjyqësor, po rritet çdo herë e më shumë, në maj të vitit 2014, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka aprovuar Strategjinë e Komunikimit 2014-2019 (Strategjia), e cila shërben për përmirësimin e komunikimit në mes të KGJK dhe gjykatave me median dhe publikun. Strategjia identifikon mjetet dhe metodat e komunikimit për përcjelljen e mesazheve drejt publikut për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie.

Në kuadër të Strategjisë, listohen katër qëllime:

-          Qëllimi 1: udhëheqje strategjike dhe koordinim i informacionit;

-          Qëllimi 2: ndërveprim gjyqësor – publik;

-          Qëllimi 3: Marrëdhënie pro- atkive media – gjyqësore

-          Qëllimi 4: Qasje e lehtë në informacion publik

 

Ndërsa, në kuadër të qëllimit 4, Strategjia përcakton, ndër të tjera, se KGJK dhe Gjykatat do të angazhohen në shfrytëzimin e platformave të medias sociale për të arritur tek audiencat e ndryshme, si një mënyrë për të rritur edhe më tej transparencën. Në kuadër të këtij qëllimi, Strategjia përcakton si udhëzim strategjik formulimin dhe implementimin e procedurave për media sociale.

Në këtë drejtim, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, gjatë vitit 2017 ka publikuar faqen zyrtare të Facebook-ut, në të cilën publikohen informatat relevante lidhur me punën e KGJK dhe gjyqësorit në përgjithësi. Po ashtu, vlen të theksohet se pothuajse të gjitha gjykatat kanë publikuar faqet e tyre zyrtare në Facebook, duke i siguruar publikut informata të shumta mbi rrjedhën e proceseve gjyqësore, vendimet gjyqësore si dhe aktivitetet e tjera të gjykatës përkatëse.

Me qëllim të përcaktimit të një procesi të shpejtë dhe lehtë të përdorshëm, Sekretariati i KGJK-së ka hartuar edhe protokollin për përdorimin e rrjetit social të Facebook-ut. Në këtë protokol është paraparë që gjatë publikimit të informatave në faqen e KGJK në Facebook, zyrtarët përkatës do të sigurohen që të kenë parasysh kornizën përkatëse ligjore në fuqi dhe të publikojnë informatat komfor këtyre ligjeve. Gjithashtu, zyrtarët duhet të sigurohen që gjatë procesit të përcjellin edhe Udhëzuesin për Media të publikuar nga KGJK në vitin 2014. Ndër të tjera, ky protokoll parasheh procedurën e publikimit të informatave që nga përgatitja e informatës, koordinimi i zyrtarëve përkatëse e deri tek publikimi i informatës në faqen zyrtare të KGJK-së, nga ana e zyrtarit kompetent.

Siç e dimë edhe çështja e përdorimit të rrjeteve sociale personale nga vet gjyqtarët është  një çështje tejet e ndjeshme. Në këtë drejtim, gjyqtarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm, ata duhet të mbajnë integritetin dhe pavarësinë e tyre si gjyqtar, pasi që probleme të ndryshme mund të shfaqen nga fotografi të papërshtatshme, komentet e postuara në faqen e rrjetit social të gjyqtarit. Prandaj, ata duhet t’i shmangen çdo lloj aktiviteti i cili është në kundërshtim me aktivitetet e gjyqtarëve. Gjyqtaret nuk mund të pëlqejnë faqet zyrtare të cilat paraqesin pikëpamje politike, apo çfarëdo faqe tjetër e cila mund të paraqet shkelje të etikës së gjyqtarit.