Komunikatë
24/10/2018
Prishtinë, 24 tetor 2018 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, ka thirrur sot mbledhjen e 207-të, të KGJK-së, të bazuar në Rregulloren për Organizimin dhe Veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjatë këtij takimi përpara anëtarëve të Këshillit, u shqyrtua dhe u miratua kërkesa buxhetore për vitin 2019 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Në vazhdim u miratua kërkesa e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë për vazhdimin e transferit të tre gjyqtarëve në Departamentin të Krimeve të Rënda në këtë Gjykatë edhe për gjashtë (6) muaj.

Edhe ‘Agjenda 2020’, ishte temë diskutimi në këtë mbledhje, ku anëtarët shprehën gatishmëri për ta mbështetur duke pasur parasysh kompetencat që dalin nga kjo agjendë me qëllim të zbatimit të detyrave që na përkasin si KGjK, e që ka për qëllim fuqizimin e shtetit të së drejtës.

“Agjenda ‘Drejtësia 2020’ që do të ketë partner të fuqishëm Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të jetë angazhimi më i madh që ka ndodhur nga institucionet vendore për ta materializuar shtetin ligjor,

Me kërkesë të Organizatës për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet ‘ÇOHU’, Këshilli shqyrtoi kërkesën për vazhdimin e Memorandum Bashkëpunimit, ndërmjet KGJK dhe ÇOHU për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga kjo organizatë. Bazuar në këtë marrëveshje KGJK dhe ÇOHU, do t’i ofrojnë mbështetje dhe bashkëpunim njëra tjetrës në përmbushjen e qëllimit të kësaj Marrëveshje Bashkëpunimi dhe objektivave të përcaktuara për KGJK-në.                                                                    

Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë kësaj mbledhje shqyrtoi edhe disa çështje të tjera me rëndësi nga fushë kompetenca e vet.