Komunıkatë e përbashkët e kgjk-së, kpk-së dhe ambasadës së norvegjısë në prıshtınë
22/11/2018
Prishtinë, 21 nëntor 2018 - Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë kanë organizuar ceremoninë e përbashkët të përurimit të vënies në zbatim të Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve (SMIL) në gjykatat dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës, me ç’rast morën pjesë Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Nehat, Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Blerim Isufaj, Ministri i Drejtësisë, z.Abelard Tahiri, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Shkëlqesia e Tij, z. Per Strand Sjaastad dhe një delegacion i administratës gjyqësore të Norvegjisë, si dhe kryetarë gjykatash, kryeprokurorë dhe pjesëtarë të stafit administrativ të sistemit të drejtësisë.

Fillimisht, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Nehat, Idrizi, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Blerim Isufaj, Ministri i Drejtësisë, z.Abelard  Tahiri dhe Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Shkëlqesia e Tij, z. Per Strand Sjaastad, kanë nënshkruar memorandumin e përbashkët të bashkëpunimit për fazën konsoliduese të projektit për periudhën 2019-2021. 

 

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z.Nehat Idrizi, ka falënderuar Norvegjinë për mbështetjen dhe financimin e projektit të Sistemit të Menaxhimit Informativ të Lëndëve, duke e vlerësuar tejet të rëndësishëm për ngritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe saktësisë së informacioneve të sistemit gjyqësor të Kosovës.

Gjithashtu, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Blerim Isufaj, ka falënderuar shtetin dhe popullin norvegjez në emër të sistemit prokurorial, duke shprehur konsideratën e tij të lartë për ndihmën e pakursyer dhe përkushtimin e madh për ngritjen e kapaciteteve të sistemit prokurorial në Kosovë, me ç’rast është themeluar dhe po jetësohet një sistem i shkëlqyeshëm i menaxhimit informativ të lëndëve.

Ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Shkëlqesia e Tij, z. Per Strand Sjaastad, ka thënë se Mbretëria e Norvegjisë është e angazhuar të punojë me institucionet e drejtësisë së Kosovës drejt reformës, kurse synimi ynë i përbashkët është që të mbetemi në partneritet të fuqishëm, afatgjatë dhe të përkushtuar. “Pronësia e fuqishme e Kosovës në këtë projekt është një pasqyrë e vërtetë, e cila ilustron se si Kosova mund dhe duhet të marrë përgjegjësinë për të çuar më tej përparimin dhe reformën e vet. Pra është diçka për t'u krenuar dhe një shembull i mirë për shërbimet e tjera publike në Kosovë” ka theksuar z. Per Strand Sjaastad.

Projekti TIK-SMIL përmban koncepte funksionale të rishikimit të lëndëve në baza periodike, kritere dhe identifikime të çështjeve me interes, përfshirë regjistrat e lëndëve penale nëpër regjione, raportet e lëndëve të kryera dhe progresin e kryerjes së tyre, me ç’rast sistemi elektronik llogarit saktë peshën e lëndëve dhe bën shpërndarjen automatike të tyre, duke krijuar mundësi të mëdha të planifikimit dhe parakushte për zhvillimin e një sistemi standard.

Projekti SMIL është iniciuar në shkallë kombëtare dhe është financuar nga Qeveria e Norvegjisë për të përmirësuar efikasitetin, llogaridhënien dhe transparencën, kurse përgjegjës për zbatimin e tij janë Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.  

 

Me respekt!