Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur takimin e 211-të me radhë, nën kryesinë e Kryesuesit Nehat Idrizi.
24/01/2019
Kryesuesi i KGjK, Idrizi, filloi takimin me shqyrtimin e ekstraktit të procesverbalit të takimit 209 dhe 210 të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe me shqyrtimin e ekstraktit të procesverbalit të takimit të II-të, të Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, si dhe shqyrtimin i Rekomandimit të Asamblesë, të cilat u miratuan një zëri nga anëtarët e Këshillit.
Me kërkesën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, Këshilli caktoi gjyqtarin, Sami Sharaxhiu,  nënkryetar në Gjykatën Themelore në Pejë.
Pas dorëheqjes së gjyqtarit Skender Çoçaj, nga Akademia e Drejtësisë, Këshilli emëroi, gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Faton Bajrami si përfaqësues të Gjykatave Themelore në Këshillin Drejtues në Akademinë e Drejtësisë.
 
Këshilli miratoi, propozimim e përbashkët të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve dhe Komisionit për Çështje Normative, për Plotësim/Ndryshimin e Rregullores për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve (11/2016), duke pas parasysh që ndryshimet e propozuara kanë dal si rezultat i ndryshimit të Ligjit për KGJK-në (Nr.06/L-055).
 
Gjatë takimit KGjK, shqyrtoi dhe miratoi edhe Raportin me Rekomandime nga Institucioni i Avokatit të Popullit Ex officio 280/2016, Udhëzuesin për përdorimin e mediave dhe rrjeteve sociale - përgatitur nga Projekti për Fuqizimin e Sektorit te Drejtësisë në Kosovë (JSSP).
Në fund Këshilli, diskutoi dhe shqyrtoi çështjen e Pensionimit të Gjyqtarëve në vitin 2019.