Skender Çoçaj zgjidhet Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës
14/02/2019
Prishtinë, 14 shkurt 2019 - Këshilli Gjyqësor të Kosovës (KGJK), mbajti mbledhjen e 213–të, të radhës me një pikë të rendit të ditës e që ishte, përzgjedhja e Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke pasur parasysh që në mbledhjen e fundit është marrë vendimi për shpalljen e thirrjes publike për paraqitjen e nominimeve për kandidatët e interesuar për t’u zgjedhur në pozitën e Kryesuesit të Këshillit.

Anëtaret e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, votuan dhe zgjedhën  Kryesuesin e  KGjK-së, Skender Çoçaj, me shumicë votash. Mandati i tij, si kryesues i KGjK-së  do të filloi me 8 mars 2019 deri më 5 korrik 2021, kur edhe përfundon mandati i tij si anëtar i KGjK-së. Kundër kandidat, ai kishte kryesuesin aktual të KGjK-së, Nehat Idrizi.

Para anëtarëve të Këshillit, Kryesuesi i sapo zgjedhur Çoçaj, elaboroi vizionin e tij për udhëheqjen e Këshilli gjatë mandatit të tij tre vjeçar, duke thënë se do të përmbushë këto objektiva: transparencën, rritjen dhe efikasitetin, llogaridhënien, bashkëpunimin ndërinstitucional me organizmat ndërkombëtar dhe shoqërinë civile. Kryesuesi Çoçaj,  tutje deklaroi se, duke u bazuar në Ligjin për Gjykata, konsideroi se çështje me urgjencë është edhe themelimi i Departamentit Special, funksionalizimi i këtij departamenti ka rëndësi të veçantë pasi që aty do të trajtohen çështjet e krimit të organizuar si dhe ato të korrupsionit të nivelit të lartë. Çoçaj, në fokus të fjalimit të tij kishte edhe zvogëlimin e numrit të lëndëve në gjykata, si një ndër problemet kyçe që kanë përcjellë sistemin gjyqësor.

Skender Çoçaj, aktualisht  është gjyqtar i departamentit të krimeve të rënda si dhe udhëheqës i departamentit të përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prizren. Çoçaj ka diplomuar në vitin 2003 në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Ai kreu provimin e jurisprudencës në vitin 2007. Ndërsa praktiken profesionale e mbajti në Gjykatën e Qarkut në Prizren në vitin 2004 deri në vitin 2005 gjithashtu ka punuar edhe si asistent arkivist  në periudhën prej 2005 e deri në vitin 2006. Në vitin 2007 e deri në vitin 2008 bashkëpunëtor profesional vullnetar në vitin 2008 e deri në vitin 2010 punoi  si bashkëpunëtor në Gjykatën e Qarkut në Prizren. Ndërsa në vitin 2010 është emëruar si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prizren ku dhe punoi deri në vitin 2013. Nga nëntori i vitit 2014, u caktua gjyqtar në departamentin e krimeve të rënda të Gjykatës Themelore në Prizren pozitë të cilën ende e mban. Ndërsa, nga qershori i vitit 2016 është anëtar i KGJK-së.