Gjyqësori shënon rritjen më të lartë të besueshmërisë së publikut
01/03/2019
Në raportin më të fundit të matjes së opinionit publik, Pulsi Publik XV, UNDP-ja ka publikuar rezultatet rreth kënaqshmërisë së publikut me punën e institucioneve publike. Sipas këtij Raporti, rritjen më të lartë të kënaqshmërisë së qytëtarëve e ka regjistruar pikërisht gjyqësori, rritje kjo më e larta e regjistruar ndonjëherë deri më tash në anketat e Pulsit Publik.

Sipas Pulsit Publik XV të UNDP-së: “Tri institucionet që prijnë janë Gjykatat, Prokuroria dhe Kryetari i Kuvendit, dhe performancat e tyre kanë patur rritjen më të lartë të kënaqshmërisë së qytetarëve në krahasim me muajin maj 2018. Pas një rënieje nga tetori 2017 deri në maj 2018, nivelet e kënaqshmërisë në lidhje me punën e gjyqësorit (si me gjykatat ashtu dhe me prokurorinë) u rritën me 6.6 pikë përqindjeje (nga 31.2 për qind në maj 2018 në 37.8 për qind në nëntor 2018 - për gjyqësorin) dhe respektivisht 5.4 pikë përqindjeje (nga 29.9 për qind në maj 2018 në 35.3 për qind në nëntor 2018 – për prokurorinë), duke arritur nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë nga anketat e Pulsit Publik.”

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, ka mirëpritur këtë rezultat, duke e vlerësuar si nxitje dhe detyrim për punë dhe përpjekje të palodhshme në ofrimin e shërbimeve efikase gjyqësore për qytetarët dhe përmbushjen e misionit themelor të ndarjes së drejtësisë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Kryesuesi Idrizi, gjithashtu, e vlerëson këtë si mirënjohje ndaj përkushtimit për një shoqëri të udhëhequr nga sundimi i ligjit. Rritja e kënaqshmërisë së publikut me punën e gjyqësorit na ofron mundësinë që të vlerësojmë edhe përshtatshmërinë dhe efikasitetin e politikave strategjike të Këshillit Gjyqësor dhe gjykatave për një sistem të drejtësisë të ndërtuar mbi parimet e llogaridhënies dhe transparencës.