Komunikatë për media
26/05/2016
TIRANË, 26 maj 2016 – Në kuadër të rritjes së bashkëpunimit rajonal një delegacion i nivelit të lartë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryesuar nga Kryesuesi i këtij Këshilli z. Nehat Idrizi, z. Fejzullah Hasani, Kryetar i Gjykatës Supreme, anëtarja e KGjK-së zj. Makifete Saliuka si dhe z. Albert Avdiu, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, zhvilluan një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku zhvilluan takime me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë, në të cilat u diskutua mbi shkëmbimin e eksperiencave nga palët gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Në takimin e parë Kryesuesi i KGJK, z. Nehat Idrizi, dhe delegacioni që e shoqëronte u pritën nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Astrit Haxhialushi, zj. Eneida Civici dhe z. Gerd Hoxha, shoqëruar nga zyrtarë të administratës së KLD.

Në vijim të takimit, delegacionit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës iu bënë të njohura edhe disa prej arritjeve kryesore dhe prioriteteve të KLD-së, në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor shqiptar. Më tej, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) z. Nehat Idrizi i njohu anëtarët e KLD-së, për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor në Kosovë.

Duke u ndalur në mënyrë specifike në vështirësitë dhe problematikat që ka sot sistemi gjyqësor në të dy vendet, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim që kushte esenciale për mirëfunksionimin e këtij sistemi janë rritja e mëtejshme e përgjegjshmërisë dhe forcimi i sistemit të karrierës së gjyqtarëve. Në këtë linjë palët e konsideruan pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe pikësëpari të KLD-së dhe KGjK-së si autoritete shtetërore përgjegjëse për karrierën e gjyqtarëve, ndaj çdo lloj ndërhyrje, si një ndër parimet bazë të funksionimit të shtetit të së drejtës. Në takim pati shkëmbim idesh lidhur me rëndësinë që paraqesin sistemet reciproke të përdorura në vlerësimin mbi kritere objektive të karrierës së gjyqtarëve si edhe në procedurat që ndiqen në procedimet disiplinore të tyre. Gjatë bashkëbisedimit, u evidentuan gjithashtu, sfidat e përbashkëta në kuadër të përmbushjes së objektivave që secili shtet mbart në vetvete në fushën e drejtësisë.

Kryesuesi i këtij Këshilli z. Nehat Idrizi, me bashkëpunëtorët e tij u pritën edhe nga Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani. Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin dhe mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në fushat e sistemit të drejtësisë, me theks të veçantë në sistemin prokurorial, ku të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan bashkëpunimin e deritashëm. Gjatë takimit, ministri Manjani u shpreh se sistemi gjyqësor meriton një vëmendje të vazhdueshme dhe se është mjaft e rëndësishme që ndryshimet që duhet të ndodhin në këtë sistem, të përqendrohen në rritjen e besueshmërisë dhe prirjen për përmirësimin e perceptimit publik.

Delegacioni në mesditë u prit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, gjatë takimit me të cilin u vu theksi në marrëdhëniet e mira midis dy vendeve. Pasi i uroi mirëseardhjen, Presidenti Nishani tha ndër të tjera se “reforma në drejtësi në shtetin shqiptarë është një domosdoshmëri, por kjo reformë duhet të jetë brenda standardeve më të larta”. Ndërsa kryesuesi i KGJK-së, z. Idrizi u shpreh se “edhe pse kjo është vizita e parë protokollare jashtë vendit, për mua është kënaqësi e veçantë duke pasur parasysh që vizita të tilla duhet të na shërbejnë për të shkëmbyer përvojat më të mira, si dhe të planifikojmë që në të ardhmen të unifikojmë legjislacionin si dy vende ku sfidat në sistemin e drejtësisë i kemi shumë të përafërta”.

Vizita e delegacionit tonë, kishte si qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve nëpërmjet shkëmbimit të ideve dhe nxitjen e praktikave më të mira në sistemin e drejtësisë.​