Kryetarët e gjykatave themelore kërkojnë rritjen e numrit të gjyqtarëve
28/04/2017
PRISHTINË, 27 prill 2017 - Është mbajtur takimi i njëqind e shtatëdhjetë e tetë i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nën kryesinë e kryesuesit Nehat Idrizi.Gjatë këtij takimi, janë shqyrtuar raportet vjetore të punës për vitin 2016 të katër gjykatave themelore, Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Gjykatës Themelore në Pejë.

Përpara anëtarëve të Këshillit, këto raporte i kanë shfletuar kryetarët e këtyre gjykatave të cilët diskutuan për sfidat dhe kërkesat që kanë këto gjykata, por pa harruar edhe të arriturat. Në këtë raporte të paraqitura nga kryetarët e gjykatave ishin përfshira të dhënat për numrin e lëndëve në punë, numrin e lëndëve të pranuara, të kryera dhe të mbetura.Nga paraqitja e këtyre raporteve, u pa se gjatë vitit 2016 ka pasur rezultate të mira të punës dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha këto gjykata.

Kryetarët e gjykatave themelore përpara anëtarëve të Këshillit shtruan kërkesat e tyre duke filluar nga rritja e numrit të gjyqtarëve nëpër gjykata, rritja e numrit të bashkëpunëtorëve profesional e deri te rritja e buxhetit. Arsyeja e kërkesës ishte grumbullimi i numrit të madh të lëndëve në sirtarët e gjykatave.

Ajo çka i dallon gjykatat themelore është Gjykata Themelore në Prishtinë e cila u cilësua si Gjykatë me nevoja imediate për rritjen e gjyqtareve duke pasur parasysh territorin që e mbulon dhe numrin më të madh të departamenteve krahasuar me gjykatat të tjera.

Gjithashtu, kryetarët diskutuan edhe për degët që i mbulojnë, ku si degë me gjendje kaotike u theksua, dega e Drenasit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sfidë për kryetaren e kësaj gjykate mbetet, zvogëlimi i numrit të lëndëve dhe kërkesa për mos lejimin e vjetërsimit të lëndëve. Gjithashtu, edhe delegimi i kompetencave të caktuara nga Sekretariati në gjykata u cilësua si sfidë për gjykatat themelore.

Kryetarët u shprehën të kënaqur me punën në gjykata në raport me numrin e gjyqtarëve, por mbetet akoma punë për tu bërë në gjykatat tona me qëllim që të ngritjes së efikasitetit të punës.

Kryesuesi i KGJK, Nehat Idrizi, kërkoj nga kryetarët e gjykatave të jenë më të vëmendshëm në lëndët e korrupsionit (shenjës truara), pasi që me atë lëndë lidhet edhe liberalizimi i vizave.Raportet e të gjitha gjykatave u miratuan njëzëri nga anëtarët e Këshillit.

Gjithashtu, në mbledhjen e sotme, Këshilli ka caktuar zëvendës kryetar të Gjykatës së Apelit Hashim Çollakun, i cili aktualisht është gjyqtarë në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal.

Dhe në fund, Këshilli autorizoi kryesuesin Nehat Idrizi të nënshkruaj Marrëveshje Mirëkuptimi në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës shqyrtoi edhe disa çështje të tjera me rëndësi nga fushë kompetenca e vet.