Procesi i Ndërmjetësimit kalon në duart e gjykatave pas vendimit të KGJK-së
26/05/2017
PRISHTINË, 26.05.2017 - Pas vendimit të Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Nehat Idrizi, procesi i Ndërmjetësimit është një hap më afër vet qëndrueshmërisë, kështu duke sjell ndryshime pozitive për sistemin gjyqësor në Kosovë.

Kryesuesi Idrizi, ka kërkuar nga kryetarët e gjykatave themelore të caktojnë përgjegjësinë e referimit të rasteve në ndërmjetësim tek personeli ekzistues i Gjykatës. Kjo është masë e përkohshme derisa të kalojë Ligji i ri për Ndërmjetësim dhe zyrtarët formalë të ndërmjetësimit të jenë të angazhuar me përgjegjësinë e punimit me gjyqtarët, palët dhe ndërmjetësuesit për të koordinuar referimin  dhe seancat e ndërmjetësimit.

Edhe pse sektori i drejtësisë ka më së shumti vështirësi, vendime si ky po sjellin ndryshime pozitive. Sidoqoftë, përdorimi i procesit të ndërmjetësimit si mekanizëm alternativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është praktikë relativisht e re në Kosovë.

Procesi i ndërmjetësimit u bë funksional nga viti 2008 dhe rregullohet nga Ligji për Ndërmjetësim i cili aktualisht ka nevojë për ndryshime. Ndërmjetësimi është proces më pak formal në të cilin palët zgjedhin një, ose më shumë persona neutral për t'i ndihmuar ata në arritjen e një zgjidhje të kënaqshme reciprokisht të mosmarrëveshjeve të tyre.

 Një dallim thelbësor midis procedimeve gjyqësore dhe ndërmjetësimit është që ndërmjetësuesi nuk merr vendim, por lehtëson komunikimin mes palëve në mënyrë që ata të arrijnë një marrëveshje në bazë të interesave të tyre.

Duke qenë se procesi i ndërmjetësimit është proces relativisht i ri, përdorimi i tij nga ana e qytetarëve është në shkallë të ulët. Prandaj, vendimi i kryesuesit Idrizi, do të ngrit kapacitetin dhe efikasitetin e gjykatave si dhe përdorimin e ndërmjetësimit nga qytetarët si mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Për më tepër, grumbullimi i lëndëve nëpër gjykata cilësohet si një nga problemet kryesore të sistemit gjyqësor në Kosovë. Rritja e përdorimit të ndërmjetësimit tek qytetarët do të sjell zgjidhje më të shpejt të rasteve dhe do të kontribuoj në zvogëlimin e lëndëve të grumbulluara.

Deri tani, ndërmjetësimi në Kosovë ka funksionuar përmes donatorëve dhe palëve të interesuara, megjithatë me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), ndërmjetësimi është një hap më afër vet qëndrueshmërisë.

Programi i USAID-it për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial (CLE) ka mbështetur tre (3) qendra të ndërmjetësimit, si dhe ka mbështetur gjykatat në referimin e rasteve të ndërmjetësimit. Megjithatë, qëllimi është që të transferohen kompetencat e Menaxherit të Qendrës së Ndërmjetësimit të financuar nga donatorët tek personeli i gjykatës.

Për këtë arsye, stafi i Programit të USAID-it, CLE do të trajnoj personelin e caktuar në gjykata dhe kjo do t’ju shërbejë për të përmirësuar vetë qëndrueshmërinë përmes gjykatave dhe reduktimin e varësisë së donatorëve për ndërmjetësim.