Komunikatë për media
29/05/2017
Prishtinë, 29 maj 2017 - Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka mbajtur sot takimin e rregullt me kryetarët e gjykatave themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme.Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësues të Lëvizjes ‘Fol’, të Ambasadës Amerikane, Programit të USAID për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial, Programit i USAID për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë, Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), Këshillit Prokurorial të Kosovës, Zyrtar të Teknologjisë Informative (TI) të Sekretariat të KGJK-së, etj.

Gjatë këtij takimi Gersi Gashi nga Lëvizja ‘Fol’ prezantoi hapat konkret rreth ngritjes së transparencës në sistemin gjyqësor, pikërisht ngritjen e besimit të qytetarëve. Gashi diskutoi për anulimin e seancave dhe theksoi se në të shumtën e rasteve, anulimi i seancave  ndodhë për shkak të mos paraqitjes së palëve dhe për shkak të mungesës së përgatitjes nga ana e palëve. Megjithatë, ai vuri në dukje, se perceptimi i publikut është se gjykatat janë përgjegjëse për anulimin e seancave dhe rekomandoi  identifikimin e arsyeve aktuale të mos mbajtjes së tyre, këto arsye  të shkruhen si dhe të publikohen. 

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, u shpreh që ky do të ishte një hap i rëndësishëm në ngritjen e besimit të qytetarëve. Idrizi dhe kryetarët e gjykatave treguan se aktualisht ka mungesë të resurseve që një gjë e tillë të arrihet për të gjitha lëndët, mirëpo mund të fillohet me disa prej tyre.

Pjesëmarrësit u pajtuan që duhet të bëhen përpjekje që publikisht të raportohet mbi shkaktarët e anulimit kur kjo është e mundur.  Stephanie Lefeuvre, nga Këshilli i Evropës, komentoj që Sistemi Elektronik për Menaxhim të Lëndëve (SMIL), i cili aktualisht është duke u zhvilluar dhe testuar do të prodhojë statistika në lidhje me numrin e seancave të anuluar dhe arsyet për këto anulime.

Kur sistemi do të jetë plotësisht funksional, do të jetë e mundur që rregullisht të publikohen  statistikat të cilat paraqesin arsyet e anulimit dhe shtyrjes së seancave.  Gashi, po ashtu komentoj mbi çështjen e publikimit të aktgjykimeve, ai vuri në dukje, përmirësimin e dukshëm të gjykatave në lidhje me publikimin e aktgjykimeve, për gjashtë muajt e kaluar. Ai rekomandoi që në të ardhmen, të bëhen përpjekje që të publikohen të gjitha aktgjykimet, dhe jo vetëm aktgjykimet e plotfuqishme. Kjo do të ishte në përputhje me  konventat ndërkombëtare, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por edhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut.Në emër të Lëvizjes ‘Fol’, Gashi propozoi që duhet të ketë takime ndërmjet KGJK-së, kryetarëve të gjykatave, dhe Agjencisë për Mbrojtje të të Dhënave Personale, në mënyrë që të bëhen ndryshime në ligje për të lejuar publikimin e tërësishëm të aktgjykimeve duke siguruar mbrojtjen e privatësisë.

Stephanie Lefeuvre nga Këshilli i Evropës diskutoi mbi rëndësinë e mbledhjes, analizimit dhe publikimit të indikatorëve kyç në mënyrë që të asistohet KGJK dhe kryetarët e gjykatave për të përmirësuar  efikasitetin dhe efektshmerinë e procesit të vendosjes së çështjeve gjyqësore. Ajo demonstroi shembuj se si duhen të përdoren statistikat përgjatë një periudhe kohore në mënyrë që të identifikohet nëse gjykatat janë duke e përmirësuar menaxhimin e ngarkesës së punës, ose janë duke ngecur mbrapa dhe të identifikojnë se ku duhet të implementohen ndryshimet në mënyrë që të përmirësohet puna.

Lefeuvre tregoj që Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) ka zhvilluar një seri të masave për ne në lidhje me përmirësimin e efikasitetit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor, siç janë krahasimet të lëndëve të reja të pranuara dhe rastet e përfunduara gjatë një periudhe të caktuar, dhe mesataren e moshës së lëndëve të zgjidhura. Këshilli i Evropës është duke punuar me zyrën e TI-së së KGJK-së, për të siguruar që sistemi elektronik i cili është në zhvillim e sipër do të mund të ofrojë prodhimin e raporteve në mënyrë që të mbështeten këto masa. 

Fatmir Rexhepi, Drejtor i Zyrës së TI-së së KGJK-së, dhe menaxher i projektit SMIL, projekt i cili është në zhvillimin dhe implementimin e një sistemi automatik të gjurmimit të lëndëve për gjykata dhe zyrat e prokurorëve, shfaqi karakteristika e planifikuara të sistemit të SMIL-it të cilat do të lejojnë përpilimin automatik të statistikave të punës të cilat do të mund të përdoren për të vlerësuar  performancën e gjykatave dhe gjyqtarëve, duke i përfshirë edhe masat e rekomanduara nga  Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ).

Një tabelë shtesë e performancës, është rekomanduar gjithashtu nga Projekti i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë. Kjo tabelë e performancës është një paraqitje grafike e indikatorëve kyç të performances, i dizajnuar për të i’u ofruar gjyqtarëve dhe administratorëve një pasqyrë të shpejtë të performances gjyqësore.   Kryetarët e gjykatave dhe të pranishmit e tjerë një zëri u pajtuan që sistemi gjyqësor po vazhdon të ndërmerr hapa për të rritur efektshmerinë dhe llogaridhënien përmes përmirësimeve në efikasitet dhe transparencë.